Lajme

Bombardohet Lviv-i, synohet aeroporti?


Qyteti perëndimor ukrainas i Lviv-it, është zgjuar nën zhurmën e bombardimeve, ku fillimisht u dyshua se aeroporti ishte shënjestra e sulmit të radhës rus.

Mirëpo, në një postim në kanalin e medias sociale Telegram, kryebashkiaku i Lviv-it, Andriy Sadovyi, pasi pohoi se ka pasur shpërthime gjatë natës, theksoi se aeroporti nuk ishte prekur, por një ndertësë pranë tij ishte sulmuar.

Kjo është edhe goditja më e afërt me qytetin e Lviv-it, që është parë deri tani, pas 23 ditësh luftime në Ukrainë.

Qyteti ndodhet vetëm rreth 60 kilometra nga Polonia dhe është qendra më e madhe e banuar ukrainase, në afërsi me vendet e Bashkimit Evropian. Në fakt, kur fillimisht pati dyshime se Kievi do të bombardohet, selitë diplomatike të shteteve të ndryshme, u zhvendosën drejt Lviv-it, duke nënkuptuar se ky qytet do të ishte i sigurt edhe nëse do të kishte një sulm rus.

Por, sot, Moska ka vendosur të shkojë edhe drejt perëndimit të Ukrainës, për të vijuar agresionin.

Viktima të raportuara ende nuk ka. Megjithatë, njoftime të tjera nga autoritetet ukrainase pritet të mbërrijnë, për të përshkruar edhe situatën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore