Kosova

Bogdanoviçi pretendon se BIA do të inskenojë “konflikte të përgjakshme” brenda komunitetit serb në veri


Ilustrim

Boban Bogdanoviç, politikan opozitar serb, njëherë Sekretar i Përgjithshëm i Institutit për Strategji Euro-Atlantike, ka pretenduar se Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë (BIA), po përgatit “konflikte të përgjakshme” brenda komunitetit serb në pjesën veriore të Kosovës para zgjedhjeve të jashtëzakonshme në komunat e banuara me shumicë serbe.

Bogdanoviç, nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në platformën “X”, derisa është thirrur në burime, ka pretenduar se kryespiuni serb, Aleksandër Vulin, i cili është në “listën e zezë” të  Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), do të inskenojë “konflikte të përgjakshme” për të forcuar partinë më të madhe të serbëve të Kosovës – Lista Sërpska.

“Kam informacione se BIA me urdhër të Vulinit po përgatit konflikte të përgjakshme brenda komunitetit serb në veri të Kosovës, të cilat janë të destinuara të kulmojnë këto ditë për të ruajtur dhe forcuar Listën Serbe, para zgjedhjeve të ardhshme lokale”, ka shkruar Bogdanoviçi të dielën.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka lëshuar një thirrje drejtuar serbëve të Kosovës që të nisin inciativën që nëpërmjet një peticioni t’i largojnë kryetarët shqiptarë nga funksioni në katër komunat veriore – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – derisa ka kërkuar që zgjedhjet e jashtëzakonshme të mbahen sa më shpejt.

Nga Bashkimi Evropian (BE) kanë thënë se zgjedhjet e parakohshme duhet të shpallen sa më shpejt në të katër komunat veriore dhe të organizohen në mënyrë gjithëpërfshirëse, pra me pjesëmarrjen e plotë dhe të pakushtëzuar të serbëve të Kosovës, përfshirë Listën Sërpska.

Zgjedhjet lokale në katër komunat e veriut të Kosovës të banuara me serbë etnikë, të mbajtura në muajin prill të këtij viti, ishin zhvilluar në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës, megjithëse, për shkak të pjesëmarrjes shumë të ulët, zgjedhjet nuk kanë ofruar një zgjidhje politike afatgjate.

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) veçse e ka përpiluar Udhëzimin Administrativ për largimin e katër kryetarëve shqiptarë nga zyra – Lulzim Hetemi, Ilir Peci, Izmir Zeqiri dhe Erden Atiç – nëpërmjet një peticioni që pritet t’i hapë udhë zgjedhjeve të reja.

Megjithatë, sulmi terrorist i 24 shtatorit nga një grusht i paramilitarëve serbë në Banjë të Zveçanit ka vendosur në pikëpytje mbajtjen e zgjedhjeve në pjesën veriore të Kosovës. Qeveria e Kosovës ka kërkuar që fillimisht të sigurohet pluralizmi politik në veri dhe siguria e qytetarëve atje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore