Biznes

Boeing: Udhëtimet ajrore do të kthehen në nivelet para pandemisë në vitin 2024


Boeing, prodhuesi amerikan i avionëve, ka njoftuar se bazuar te parashikimet do të duhen edhe dy vjet e gjysmë që aviacioni global të kthehet në nivelet para pandemisë.

Agjencia e lajmeve, “BBC”, tregon se nënkryetari i marketingut tregtar, Darren Hulst, ka thënë se “industria do të rimëkëmbet në nivelet e vitit 2019 deri në fund të 2023-shit, në fillim të 2024-ës” dhe se fluturimet e brendshme do të jenë në pararojë të çdo rimëkëmbjeje.

Ndërkohë, referuar parashikimit të kompanisë, rrugët ndërkombëtare me distanca të gjata do të marrin rrugën më shumë kohë për tu rikuperuar, pjesërisht për shkak të kufizimeve të qeverisë.

Boeing ka bërë me dije se këto kufizime do të duhet të lehtësohen për të mundësuar “rimëkëmbjen e kërkesës së zbehur që ekziston tashmë në treg”.

Vitin e kaluar, numri i pasagjerëve ra me 60 për qind në 1.8 miliardë dhe industria humbi 126 miliardë dollarë, sipas organit ajror IATA, i cili ka nxjerrë se ky ishte edhe viti më i keq në histori.

Për të rimarrë veten nga rënia, Boeing ka thënë se forca e ekonomisë globale është çelësi për ta arritur.

Qasja globale

Këtë vit, Fondi Monetar Ndërkombëtar pret që ekonomia globale të rritet me gjashtë për qind dhe me 4.9 për qind vitin e ardhshëm pasi të rimëkëmbet nga dëmet e shkaktuara nga pandemia.

Për Hulst një qasje e koordinuar globale për kufizimet e udhëtimit është gjithashtu një faktor “jashtëzakonisht i rëndësishëm” për rimëkëmbjen dhe se kuptimi i përbashkët i rregullave të udhëtimit u ka mundësuar njerëzve të “rifillojnë biznesin dhe mënyrën sesi përdorin sistemin global të transportit”.

Në të gjithë botën, qeveritë kanë marrë qasjet e tyre për njohjen e statusit të vaksinës dhe testimit. Ekzistojnë gjithashtu kërkesa të ndryshme rreth periudhave të karantinës, të cilat i kanë bërë udhëtimet ndërkombëtare një çështje të komplikuar.

Megjithatë, Bashkimi Evropian prezantoi një pasaportë vaksine muajin e kaluar, kjo për ta bërë më të lehtë për njerëzit të udhëtojnë përtej kufijve brenda bllokut.

Çka konsiderohet me rëndësi pasi industria e aviacionit është vendimtare për ekonominë globale. Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit Civil të OKB-së vlerëson se para pandemisë ajo vlente 3.6 për qind të ekonomisë globale dhe mbështeste 65.5 milionë vende pune në të gjithë botën.

Kina në rritje

Nga ana tjetër, prodhuesi amerikan i avionëve ka rritur parashikimin e tij se sa aeroplanë të rinj do të kërkojë bota gjatë 20 viteve të ardhshme.

Sipas tij, 43 mijë e 610 avionë të rinj komercial do të nevojiten deri në vitin 2040, që është pak më shumë se 43 mijë e 110 që parashikoi vitin e kaluar. Ata do të kenë një vlerë të kombinuar prej 7.2 trilionësh dollarë.

Ndërkohë, një pjesë në rritje e tyre do të shkojë në Lindjen e Mesme dhe Azi, pasi Kina duket se do të zëvendësojë Shtetet e Bashkuara të Amerikës si tregu më i madh i aviacionit në botë.

“BBC” shkruan se parashikimi është akoma më i ulët se para pandemisë, kur Boeing prezantoi se kërkesa do të ishte 44 mijë e 40 për 20 vjet.

Hulst ka treguar se kompania po vazhdon të punojë me rregullatorët dhe aktorët e tjerë për të siguruar që avionët e tyre të përmbushin standardet e kërkuara të sigurisë.

“Ne po punojmë për t’u siguruar që cilësia jonë është në standardet më të larta të mundshme dhe na takon ne të sigurohemi që kemi produktet e duhura në kohën e duhur për tregun”, ka shtuar ai.

Trajtimi i ndryshimit të klimës

Rënia e përhapur e udhëtimeve ajrore ka bërë që më shumë se katër mijë avionë të qëndrojnë në magazinë. Pushimi i zgjatur do të ngadalësonte porositë për aeroplanë të rinj.

Sidoqoftë, me shumë kompani ajrore po kërkojnë të lëvizin drejt avionëve më efikasë që zvogëlojnë përdorimet dhe emetimet e dioksidit të karbonit.

Boeing ka zbuluar se “80 për qind ose më shumë prej flotës që ekzistonte në vitin 2019 do të zëvendësohet për një afat të gjatë”.

“Mendoj se ne do të shohim disa nga ata avionë të zëvendësohen teksa bëhen lëndë e parë për shndërrimin në aeroplanë mallrash”, ka treguar Hulst dhe se kjo po nxitet nga bumi i tregtisë elektronike që ka ardhur bashkë me pandeminë.

Një tjetër ndryshim i madh për periudhën 20-vjeçare të parashikimit mund të jetë mënyra se si avionët furnizohen me karburant teksa bota merret me ndryshimet klimatike. Për momentin, udhëtimet ajrore zënë afro dy për qind të emetimeve globale të serrave.

Hulst ka thënë se “kemi parë që përparimi gjatë 30 viteve të fundit ka qenë dramatik. Përparimi që do të shohim në këtë dekadë do të jetë dramatik, por ne gjithashtu kemi nevojë për faktorë të tjerë, lëndë djegëse të tjera për të qenë pjesë e kësaj zgjidhjeje”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore