Biznes

Boeing mbyll një tjetër tremujor me humbje


Kompania e aviacionit, Boeing, të mërkurën e 28 prillit, raportoi një tjetër tremujor me humbje, si pasojë e tregut të dobët të aviacionit.

Por, gjatë një deklarate, zëdhënës të kompanisë thanë që ngritja është afër, sepse avionët 737 MAX u rikthyen në shërbim dhe programi i vaksinimit po ecën si duhet.

Gjigandi i hapësirës ajrore, i cili ka qenë në gjendje krize që nga marsi i vitit 2019, kur rregullatorët bllokuan shërbimet e MAX për 20 muaj, raportoi një humbje prej 537 milionë dollarësh në tremujorin e parë. Tremujori i gjashtë ky me tregues negativ.

Shërbimet e avionëve të pasagjerëve, Boeing 737 MAX, u bllokuan në të gjithë botën, nga marsi i vitit 2019 deri në dhjetor të 2020-s. Kjo, pasi 346 njerëz vdiqën në dy aksidente, atë të Lion Air Flight 610, më 29 tetor 2018, dhe Ethiopian Airlines Flight 302, më 10 mars 2019.

“Ndërsa pandemia globale vazhdon të sfidojë mjedisin e përgjithshëm të tregut, ne e shohim vitin 2021 si një pikë kyçe kthimi për industrinë tonë, pasi shpërndarja e vaksinave po përshpejtohet dhe po punojmë së bashku me qeveritë dhe industrinë për një rimëkëmbje të fuqishme”, tha Shefi Ekzekutiv i kompanisë, Dave Calhoun.

“Në përgjithësi, kemi bërë hapa të rëndësishëm gjatë këtij tremujori dhe duhet të qëndrojmë të zellshëm, ndërsa kalojmë së bashku në këtë pandemi globale”.

Rregullatorët amerikanë në Administratën Federale të Aviacionit miratuan MAX për të rifilluar shërbimin që në nëntor. Që nga ajo kohë, Boeing ka dorëzuar më shumë se 85 avionë MAX dhe 21 linja ajrore e kanë rikthyer avionin në flotat e tyre, tha Boeing.

Por, në fillim të këtij muaji, Boeing njoftoi 16 kompani ajrore për një problem elektrik me avionët, duke lënë më shumë se 100 avionë MAX, në të gjithë botën, të papunë.

Calhoun tha se Boeing është “duke përfunduar planet dhe dokumentacionet” mbi një proces për t’i rikthyer ato avionë në shërbim.

Heqja e këtyre avionëve MAX nga shërbimi nuk ka pasur ndikim të lartë te klientët e linjave ajrore, sepse edhe niveli i udhëtimeve është akoma në depresion, për shkak të Covid-19.

Por, kreu i kompanisë ajrore, Southwest Airlines, klient kryesor i Boeing-ut, javën e kaluar tha se problemi duhet të zgjidhet sa më parë, pasi së shpejti kërkesat për udhëtime do të rriten.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore