Kosova

Bloomberg: Aplikimi i Kosovës do të shqyrtohet qysh në fillim të vitit tjetër, po sa ta merr presidencën e këshillit Suedia


Ilustrim

Bashkimi Evropian, sipas mediumit prestigjioz amerikan, Bloomberg, do ta shqyrtojë kërkesën e Kosovës për aplikim në Union, në momentin kur kryesimin e Presidencës së BE-së do ta merr Suedia, që i bie përafërsisht në ditët e para të vitit 2023.

Bloomberg duke u thirrur në burime brenda BE-së, ka shkruar më tej se kërkesa e Kosovës do të shqyrtohet me kujdes, pasi çështja në fjalë është e ndjeshme për shtetet anëtare të Unionit, marrë parasysh 5 shtetet mos njohëse të pavarësisë së Kosovës.

Një javë më parë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dorëzoi fizikisht dokumentacionin e duhur për aplikim për anëtarësim në BE, Presidencës Çeke.

Në anën tjetër Presidenca e Republikës së Çekisë e Këshillit të Ministrave tregoi për Albanian Post se aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE do të jetë një nga çështjet në mbledhjen e Këshillit, por mqeë ky është takimi i fundit nën udhëheqjen e Çekisë, procedimin tutje do ta trajtojë shteti i Suedisë, pasi nga janari ata e kanë presidencën.

Kryeministri Kurti ndërsa kishte dorëzuar aplikimin e Kosovës për anëtarësim, në një konferencë për media me ministrin e Republikës së Çekisë për Çështjet Evropiane, Mikulash Bek, kishte bërë një përllogaritje të kohës që u ka marrë vendeve të ndryshme për anëtarësim në BE nga momenti i aplikimit deri te pranimin duke shprehur optimizmin se Kosovës i duhet diku rreth nëntë vjet, si kohë mesatare e pranimit në union.

Ndërsa pak ditë më vonë kryeqeveritari përmes një statusi në rrjetin e tij social në Facebook, kishte bërë të ditur se Kosova do të bëhet anëtare kuptimplotë e Unionit, duke nënvizuar faktin se Serbia nuk do të mund të pengojë një hap të tillë të Kosovës, asnjëherë.

Sipas tij presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe Qeveria e Serbisë, në këtë rast kanë mbetur të vetmuar duke kundërshtuar aplikimin zyrtar të Kosovës për anëtarësim në BE. Ani pse i dërguar i Spanjës në BE, Pascual Navarro, në mënyrë eksplicite ka deklaruar se qeveria spanjolle nuk do ta mbështesë kandidaturën e Kosovës për anëtarësim në Union.

“Spanja nuk e njeh Kosovën, prandaj do të votojë kundër çdo vendimi procedural dhe dhënies së statusit kandidat të Kosovës”, kishte thënë Sekretari i Shtetit për BE-në në Spanjë, Navarro gjatë paraqitjes së tij para Komisionit të Përzier për BE-në, të mbajtur në Senat.

Për 9 vjet Kosova anëtare e BE-së, përllogaritja e Kurtit

Çfarë duhet të bëjë Kosova për t’u konsideruar për anëtar në BE?

Para se gjithash, normalizimin e raporteve me Serbinë, diçka që zyrtarëve të Kosovës u ritheksohet sa herë të udhëtojnë për në Bruksel. Kjo është çështja më problematike. Pjesë tjetër e rëndësishme është bindja e pesë shteteve anëtare nga 27 gjithsejtë që nuk e njohin Kosovën shtet të pavarur. Madje edhe BE-ja ka status neutral, duke iu referuar Kosovës me fusnotë.

Gjithsesi, edhe sikur këto probleme të mos ekzistonin fare, datë e caktuar nuk ekziston për asnjë kandidat, pasi procesi në fjalë përparon varësisht nga aftësia e kandidatit/shtetit për t’i përmbyllur kapitujt të kërkuara nga Unioni.

Procesi në vetvete është tejet kompleks dhe me vite i gjatë, sidomos për vendet e Ballkanit Perëndimor, për të cilin BE-ja parasheh një proces të veçantë.

Marrëdhëniet e BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor zhvillohen brenda një kuadri të veçantë të njohur si procesi i Stabilizim-Asocimit – marrëveshja e vetme e Kosovës me BE-në – që është hapi i parë drejt anëtarësimit në Union.

Aplikimi për anëtarësim në BE fillon zyrtarisht kur vendi aspirant dorëzon aplikimin për anëtarësim Presidencës së BE-së.

Komisioni Evropian ofron një opinion formal Avis për vendin i cili aplikon, duke rekomanduar dhënien ose jo të statusit të vendit kandidat dhe hapjen e negociatave.

Pasi Këshilli, në unanimitet bie dakord mbi një mandat negociues, bisedimet midis vendit kandidatit dhe të gjitha shteteve anëtare të BE-së mund të hapen formalisht.

Por, para se të fillojnë negociatat, kandidati në këtë rast shteti aplikues duhet të plotësojë kriteret e aderimit në BE.

“Kriteret e Kopenhagenit”, kërkojnë që vendi kandidat të ketë institucione të qëndrueshme që garantojnë demokracinë, shtetin e së drejtës, të drejtat e njeriut, respektimin dhe mbrojtjen e

minoriteteve.

Një ekonomi tregu funksionale, si dhe aftësinë për të përballuar presionin e konkurrencës dhe forcat e tregut që veprojnë brenda Bashkimit Evropian.

Aftësinë për të marrë përsipër detyrimet e anëtarësimit, në mënyrë të veçantë objektivat politike, ekonomik dhe të bashkimit monetar.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore