Lajme

Blofi i Daçiç-it, i zbuluar për më pak se 24 orë


Foto nga Albanian Post

Presidenca e Republikës së Çekisë e Këshillit të Ministrave ka sqaruar për Albanian Post se aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian do të jetë një nga çështjet në mbledhjen e kësaj të marte të Këshillit, por meqë ky është takimi i fundit nën udhëheqjen e Çekisë, procedimin tutje do ta trajtojë shteti i Suedisë, pasi nga janari ata kanë presidencën.

Ivica Daçiç, duke bërë propagandë për konsum të brendshëm politik në Serbi, deklaroi të hënën se, siç ka marrë vesh ai, Presidenca Çeke në takimin e radhës të këshillit, vetëm do t’i informojë ambasadorët e shteteve anëtare për aplikimin e Kosovës dhe nuk do ta fus më në agjendë.

“Çekia e ka pranuar aplikacionin dhe sipas njoftimeve siç janë gjërat sot, në seancën që duhet të mbahet këtë javë, vetëm do të informojnë se e kanë pranuar aplikacionin dhe nuk do ta vendosin më në procedurë”, tha Daçiç në një deklarim para gazetarëve.

Por, siç sqaron për AP-në, Marek Zeman, shef në Departamentin për Komunikim në Ministrinë për Çështje Evropiane të Republikës së Çekisë, mos-vendosja e Kosovës më në procedurë nuk ka të bëjë me një vendim të tyre, por me faktin se më nuk ka takime.

Zeman, në përgjigje me shkrim për Albanian Post tha se “pasi kemi pranuar aplikimin, Presidenca menjëherë është angazhuar në konsultime me shtetet të tjera anëtare të BE-së”.

Prandaj, “Presidenca do ta informojë Këshillin për pranimin e aplikimit sot, e martë, në takimin e Ambasadorëve të BE-së në Bruksel, që është edhe i fundit nën Presidencën e Çekisë”.

Në sistemin me rrotacion të presidencës çdo gjashtë muaj, pas Çekisë kryesimin e presidencës e merr Suedia, prandaj, thotë Zeman “hapat e radhës do të konsiderohen nga Presidenca e Suedisë që fillon nga janari”.

Për sqarim, shton ai, “në parim, pas vendimit të Këshillit, Komisionit mund t’i kërkohet që të përgatis një opinion për aplikimin e Kosovës”.

Ai ka përsëritur edhe një herë se Çekia e vlerëson “vendimin për hapin e radhës drejt perspektivës evropiane të Kosovës të ndërmarrë nga Qeveria e Kosovës gjatë Presidencës Çeke të Këshillit të Bashkimit Evropian”, derisa shton se “Ballkani Perëndimor ka qenë një nga prioritete e presidencës”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, zyrtarisht ka dorëzuar aplikimin e Kosovës për Bashkim Evropian, në një konferencë për media me ministrin e Republikës së Çekisë për Çështje Evropiane Mikulash Bek.

Kurti gjatë konferencës tha se ka bërë një përllogaritje të kohës që u ka marrë vendeve të ndryshme për anëtarësim në Bashkimin Evropian nga momenti i aplikimit deri te pranimi dhe beson se Kosovës i duhen diku rreth nëntë vjet, si kohë mesatare e pranimit të shteteve në union.

Kryeministri, gjatë fjalimit, ka përmendur pikërisht Suedinë, si një nga vendet që në afatin më të shpejt u pranua si anëtare e Unionit.

“Ka vende si Suedia që u ka zgjatuar tri vjet koha nga aplikimi deri te pranimi”, tha Kurti, duke shtuar gjithashtu se “ka të tjera si Malta që u ka zgjatuar 14 vjet”.

“Prandaj, një mesatare prej nëntë vjetësh është reale për republikën e Kosovës që ta paguajë për anëtarësim”.

Përndryshe, gjatë presidencës ceke Kosova ka fituar edhe datën e liberalizimit të vizave, “më së largu janari i vitit 2024”.

Presidenca Çeke në disa raste në mbledhjet e Këshillit ka futur në agjendën Kosovën dhe çështje të caktuara rreth Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore