Kosova

Pikëkalimi në Bërnjak mbyllet, dy pikëkalime të tjera mes Serbisë dhe Kosovës bllokohen pjesërisht


Foto nga pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë

(Ky lajm është përditësuar)

Rrugët në pjesën serbe që dërgojnë drejt dy pikave kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, Merdarë dhe Jarinje, janë bllokuar pjesërisht pasditen e së premtes nga përfaqësuesit e disa shoqatave serbe, në shenjë proteste ndaj vendimeve që po marrin institucionet e Kosovës në Veri.

Kurse ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, teksa kanë njoftuar se pika kufitare në Bërnjak është mbyllur për qarkullim nga institucionet e Kosovës, u kanë bërë thirrje qytetarëve që të shmangin lëvizjet në këto pikëkalime.

Lajmin për bllokimin e tri pikave kufitare Bërnjak, Jarinje e Merdarë e bëjnë të ditur edhe të dhënat aktuale të Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar.

 

Të dhënat e Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Në fillim të kësaj proteste organizatorët kanë deklaruar se do t’i lejojnë të futen apo dalin vetëm udhëtarët me dokumente serbe, por jo edhe ata me dokumente kosovare, raporton Radio Evropa e Lirë.

Institucionet e Kosovës, kanë bërë thirrje edhe të enjten që këto pikëkalime të shmangen gjatë protestës të cilën e kishin e paralajmëruar të ashtuquajturit “Këshill Organizativ për Bllokada” në Serbi, i cili kishte bërë të ditur se më 6 shtator, planifikohen bllokada të rrugëve që çojnë drejt Republikës së Kosovës.

Ndryshe, punonjës të institucioneve paralele të Serbisë në Kosovë kanë protestuar gjatë kësaj jave, disa ditë pas mbylljes nga autoritetet e Kosovës të pesë institucioneve paralele serbe që kanë vepruar ilegalisht në Veri të Kosovës, ndërsa më herët, në gusht, u mbyllën edhe degë të postës serbe atje.

Forca e NATO-s në Kosovë (KFOR), në një përgjigje për shtypin kosovar të mërkurën, ka kërkuar nga serbët që t’i shmangin veprimet që mund të krijojnë tensione në vend.

KFOR-i ka thënë se “është e rëndësishme të shmangen veprime që mund të krijojnë tensione të panevojshme” në vend, duke shtuar se “ky është çelësi për sigurinë e qëndrueshme në Kosovë”.

E përkundër se situata e përgjithshme në pjesën veriore të banuar me serbë etnikë është më e qetë pas ngjarjeve të vitit të kaluar, akoma perceptohet tensioni – tension për shkak të numrit të madh të çështjeve të pazgjidhura në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë.

Mbyllën pesë objekte komunale paralele në Veri, Krasniqi: Funksionuan nën direktiva të Serbisë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore