Kosova

Bllokadat në kufij – Osmani thirrje Perëndimit: Dënoni shkeljet e vazhdueshme të Serbisë


Vjosa Osmani

Bllokimi i disa pikëkalimeve kufitare në mes të Kosovës dhe Serbisë, sipas presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, dëshmon edhe njëherë se Serbisë nuk i intereson “lëvizja e lirë” e “fqinjësia e mirë”, por vazhdon shfrytëzimin e bandave kriminale për të kryer sulme të vazhdueshme ndaj Kosovës.

“Këto bllokada të cilat janë krijuar kohëve të fundit, të cilat në mënyrë të veçantë kanë për qëllim të terrorizojnë qytetarët shqiptarë donin t’i shfrytëzonin këto pika kufitare kanë vetëm një qëllim, të krijojnë tensione, të destabilizojnë Kosovën dhe gjithë rajonin tonë”, tha ajo në një prononcim të shkurtër për media.

Prandaj ajo ka kërkuar që komuniteti ndërkombëtar të del me një “qëndrim publik lidhur me këto shkelje të vazhdueshme nga ana e Serbisë”.

“Të cilat po shkelin të drejtat e qytetarëve tanë dhe kanë tendencë ta destabilizojnë paqen dhe sigurinë jo vetëm në Kosovë por në tërë rajonin tonë”, tha ajo pas ceremonisë së zbulimit të shtatores së ish-presidentit Ibrahim Rugova në Komunën e Podujevës të shtunën.

Ajo ndër të tjera bëri të ditur se “janë ndërmarrë të gjitha masat e sigurisë” që mos të lejohet krijimi i tensioneve brenda territori të Kosovës.

“Reagimi institucional i Kosovës siç e dini veçse po ndodhë. Ka një kohë të gjatë që ne kemi mbledhur prova lidhur me këtë. Është bërë thirrje publike qe qytetaret mos të shfrytëzojnë ato pika kufitare. Janë ndërmarrë të gjitha masat e sigurisë që mos të lejohet që ky destabilizim të krijojë tensione brenda territorit të Republikës së Kosovës dhe jemi në kontakt të vazhdueshëm me aleatët tanë”, potencoi Osmani.

Pikëkalimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë më saktësisht ata në Merdar e Bërnjak vazhdojnë të jenë të mbyllura nga pjesa e Serbisë edhe të shtunën, njofton Qendra Kombëtare për Menaxhimin Kufitar.

Ndërkohë që qarkullimi i veturave në pikëkalimin kufitar në mes të Kosovës dhe Serbisë më saktësisht në Jarinje në mëngjesin e së shtunës po zhvillohet në mënyrë normale përfshirë ato me targa të Kosovës, ka bërë të ditur zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.

Kujtojmë që pikëkalimi në Jarinje, të premten, ishte i mbyllur vetëm për ata që posedojnë dokumente të Kosovës

Bllokimi i kufijve nga ana e Serbisë si shenjë revolte ndaj politikave të Qeverisë së Kosovës në raport me Veriun e vendit nisi si aksion të premten e 6 shtatorit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore