Blinken viziton Kievin të dielën, Zelensky kërkon takim me Putinin

SHFLETO
Vitjon Nina
23.04.2022 19:55
Loading Icons...

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, do të bëhet zyrtari i parë i lartë amerikan, i cili do të vizitojë kryeqytetin e Ukrainës, Kievit, pas agresionit rus me nisje më 24 shkurt 2022, i cili ende vijon.

Lajmin e ka vërtetuar vetë presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili në një konferencë për mediat ka deklaruar se zyrtarët e lartë amerikanë do ta vizitojnë gjatë të dielës.

Pjesë e udhëtimit do të jetë edhe sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin dhe do të jetë me rëndësi të shihet retorika që SHBA-të do të përdorin për të mbështetur Ukrainën ndaj agresorit rus.

Gjithsesi, ky nuk është lajmi i vetëm që Zelensky dha për publikun, por ai iu kthye edhe një kërkese të hershme, për t’u takuar me homologun e tij rus, Vladimir Putin.

“Kushdo që e nisi këtë luftë, edhe mund t’i japë fund asaj”, tha Zelensky, duke cilësuar se “nuk ka frikë ta takojë Putinin, për sa kohë ky takim do të nënkuptojë paqen midis vendit të rij dhe fqinjëve rusë.

Sa i përket referendumeve të pretenduara nga kreu i Kremlinit, i cili pretendon se do t’i mbajë ato në disa zona, si për shembull qytetin e Kherson-it, Zelensky i ka quajtur ato “pseudo-referendume”.

“Nëse vijohet kjo retorikë, bisedimet për paqe do të mbyllen”, tha ai për gazetarët. “Një lëvizje e tillë më pas, do të komplikonte edhe çdo lëvizje tjetër, për t’i dhënë fund luftës.

Presidenti ukrainas ka folur edhe mbi furnizimin e vendit të tij me armatime, ku ka treguar se është i kënaqur me ndihmën e dhënë nga Britania e Madhe dhe SHBA-të.

“Duam sigurisht më shumë nga sa po na japin, por jemi të kënaqur”, nënvizoi ai. “Nuk mund të refuzojmë as edhe një ndihmë të vetme gjatë luftës, aq më pak nga britanikët apo amerikanët”, përmbylli ai.