Lajme

Blinken, sinjali i parë ndaj sanksioneve kundër Rusisë?


“Jemi të përkushtuar në rijetëzimin e marrëdhënieve tona me vendet anëtare të Bashkimit Evropian”.

SHBA-ja është rikthyer zyrtarisht kah BE-së!

Mbledhja e kryediplomatëve të vendeve anëtare të unionit me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, ka dhënë në pamje të parë frytet e saj.

“Ishte kënaqësi t’iu bashkoja homologëve të mi evropianë”, shkruan Blinken-i në Twitter. “Sot, me Josep Borrell, diskutuam përgjigjen e përbashkët SHBA-BE ndaj problemeve globale”.

Çështja më kryesore e diskutuar në agjendën evropiane të 22 shkurtit, është ajo e sanksioneve ndaj Rusisë. Këto masa merren pas dënimit të opozitarit rus, Alexei Navalny, me burg.

Një sanksion konkret ende nuk është bërë i ditur nga zyrtarët e lartë. Gjithsesi, përfaqësuesi i lartë BE-së, Borrell, deklaroi sot se “ka një vendim në bllok për të sanksionuar Rusinë”. Nuk është bërë ende me dije nëse pjesë e bllokut është edhe SHBA-ja.

Mesazhi i Blinken-it ndjek gjithsesi një linjë tërësisht pro-BE-së. Nëse SHBA-ja vendos realisht t’i bashkohet sanksionimit ndaj Rusisë, kjo mund të sjellë zhvillime shumë më të mëdha nga se pritej.

Parashikohet se e vetmja mënyrë për të liruar Navalny-n, është vendosja e masave të forta ndaj miqve të afërt të Vladimir Putin.

Nëse do të jetë efektive, kritiku i Kremlinit mund të jetë jashtë hekurave më shpejt nga sa mendohet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore