Lajme

Blinken: SHBA-të mbrojtën shqiptarët etnikë ndaj agresionit serb


Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken

Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, duke folur për punën dhe veprimtarinë e ish-Sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, e cila vdiq më 23 mars, ka përmendur edhe Kosovën si dhe meritat e saj për zgjerimin e Aleancës Veri Atlantike, NATO.

“Pasi e pa luftën nga afër, duke u larguar nga Çeko-Sllovakia, pasi Gjermania e pushtoi atë, pastaj duke u fshehur në streha nga bombat gjermane në Angli, Albright besonte se SHBA-të duhet t’u përgjigjen me forcë diktatorëve dhe tiranëve”.

Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken

“Ajo krijoi komunitetin e demokracive, një koalicion i shteteve që mbron vlerat në botë, dhe falë përpjekjeve të saj, Polonia, Hungaria dhe Republika Çeke u anëtarësuan në NATO, dhe se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbrojtën shqiptarët etnikë ndaj agresionit serb”, ka thënë Blinken në një videoparaqitje të shpërndarë nga Ambasada e SHBA-ve në Kosovë në rrjetin social Facebook.

“Sot, në Kosovë është një shesh dhe një rrugë që mbanë emrin e Madeliene Albright, dhe statuja e saj qëndron në kryeqytet”, ka deklaruar ai.

Më tej Sekretari amerikan i Shtetit ka thënë se Albright ka qenë një diplomate brilante, një udhëheqëse vizionare, prijëse e guximshme dhe mbi të gjitha një person shumë i mirë që e donte SHBA-në.

Madeleine Albright

Nga ana tjetër, në mbrëmjen e së premtes së 25 marsit, në Prishtinë janë ndezën qirinj para bustit të ish-Sekretares Albright.

Ambasadori i SHBA-ve në Prishtinë, Jeff Hovenier, që mori pjesë në ndezjen e qirinjve, është shprehur se Kosova është një nga trashëgimitë më të mëdha të ish-Sekretares se shtetit.

Institucionet e Kosovës të premten e kishin shpallë ditë zie në vend në nderim të jetës dhe veprës së Albright.

Ajo vlerësohet si një prej personaliteteve politike që ka shtyrë përpara vendimin që aleanca e NATO-s të ndërhynte në Kosovë më 1999.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore