Lajme

Blinken: Izraeli t’ia plotësojë Ukrainës të gjitha nevojat, meqë Rusia është e lidhur me Iranin


Izraeli ka nevojë të bëjë shumë më shumë për të mbështetur Ukrainën në mbrojtjen e saj kundër Rusisë, sepse fundja, lidhjet e Moskës me Teheranin, janë të dukshme tashmë.

Kështu mendon Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i cili ka folur pikërisht lidhur me ndikimin e Izraelit në luftën e Ukrainës, gjatë një vizite që e ka zhvilluar në Jerusalem.

Irani, është duke e ndihmuar Rusinë me armë të sofistikuara dhe ky nuk ka se si të mos jetë një detaj i mjaftueshëm për Qeverinë izraelite, që ta mbështesë më shumë Kievin në këto kohë të vështira.

E gjitha, pas dakordësimit mes fuqive perëndimore, për të dërguar fillimisht armë të rënda dhe sisteme anti-raketore për Mbrojtjen ukrainase e më pas, edhe tanke të armatosur (rreth 140 të tillë), mes prodhimeve amerikane, gjermane dhe franceze.

Për kryediplomatin amerikan, është thelbësore që kjo ndihmë të vijë nga ana e Izraelit. Jo vetëm në aspektin ushtarak, por qoftë edhe në aspektin humanitar dhe atë ekonomik.

Një qëndrim neutral në këto kushte nuk është i mundur, siç ka ravijëzuar Blinken dhe në fakt kjo ka qenë një pikë e hershme mosmarrëveshjeje mes dy vendeve.

Amerika ka qenë qartazi e rreshtuar në mbrojtje të Ukrainës, që prej ditës së parë të agresionit rus, me fillim në 24 shkurt 2022.

Izraeli nga ana tjetër, ka marrë hapa të vegjël mbështetjeje, por nuk ka dalë nga neutraliteti mbi çështjen.

Përpos faktit se është një vend, i cili ka qenë i rreshtuar gjithnjë krah Perëndimit, Izraeli me Rusinë ka mbajtur qëndrime të buta dhe nuk e ka dënuar forcërisht pushtimin e Ukrainës.

Nga vetë Ukraina, ka qenë presidenti Volodymyr Zelensky – i cili ka prejardhje hebree vetë – ai që ka kërkuar armatime dhe ndihma prej Jerusalemit.

Por, një marrëveshje dekonfliktimi e nënshkruar me Rusinë, e cila mund të prishet në rast të furnizimit të Ukrainës me armë prej Izraelit, e ka stepur këtë të fundit të ndërmarrë hapa.

Amerikanët, lidhur me situatën, idenë e kanë të qartë tashmë dhe thirrjen e kanë bërë për veprim sa më të hershëm.

Sa do të dëgjohet nga Benjamin Netanyahu, është e vështirë të thuhet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore