Lajme

Blinken i bën thirrje Armenisë dhe Azerbajxhanit të shfrytëzojnë ‘mundësinë historike’ për të bërë paqe


Ministri i Jashtëm i SHBA-ve Antony Blinken i bëri thirrje të shtunën Armenisë dhe Azerbajxhanit që të shfrytëzojnë “një mundësi historike” për të bërë paqe pas tridhjetë vjet konflikti rreth rajonit të Nagorny Karabakh-ut.

“Ne besojmë se Armenia dhe Azerbajxhani kanë vërtet një mundësi historike për të arritur një paqe të qëndrueshme pas më shumë se 30 vjet konflikti”, tha Blinken përpara një takimi me kryeministrin armen Nikol Pashinyan dhe presidentin e Azerbajxhanit Ilham Aliyev në margjinat e konferencës së sigurisë në Mynih, Gjermani.

Ai përshëndeti faktin që “vetë palët e kanë rifilluar procesin e paqes, duke përfshirë këtu duke biseduar drejtpërdrejt ose përmes Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara”.

Shtetet e Bashkuara “mbeten të përkushtuara për të bërë gjithçka që mundemi” për të mbështetur këtë proces, shtoi ai.

Takimi vjen disa ditë pasi kryeministri armen njoftoi se ai kishte dorëzuar projekt-traktatin e tij të paqes në Azerbajxhan.

Këto dy ish-republika sovjetike të Kaukazit u përplasën në fillim të viteve 1990 gjatë shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik për kontrollin e Nagorny Karabakh, një rajon Azerbajxhani i populluar kryesisht nga armenë.

Konflikti i parë, i cili mori 30 mijë jetë, përfundoi me një fitore armene.

Por Azerbajxhani mori hakmarrjen e tij në një luftë të dytë që la rreth 6 mijë e 500 të vdekur në vjeshtën e vitit 2020 dhe lejoi Baku-n të rimarrë shumë territore.

Armenia akuzoi së fundmi Azerbajxhanin se dëshiron të kryejë “spastrim etnik” në Nagorny Karabakh duke i detyruar armenët që jetojnë atje të largohen nga ky territor i cili prej javësh është përballur me bllokimin e një aksi jetik për furnizimin e tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore