Aplikacione

Blerja e Nuance nga Microsoft-i


Në planet e fundit të kompanisë Microsoft do të jetë edhe blerja e një firme teknologjike që njihet për ndihmesën e saj në zhvillimin software-it e njohjes së fjalëve të Apple-it, Siri.

Agjencia e lajmeve, BBC, tregon se firmën e quajtur Nuance Communications, Microsoft-i e ka blerë përmes një marrëveshjeje me vlerë 19.7 miliardë dollarë.

Në historinë e Microsoft-it, kjo firmë renditet e dyta për nga madhësia e kompanisë që pas blerjes së rrjetit profesional, Linkedin, në vitin 2016.

Sipas kompanisë teknologjisë, blerja e Nuance Communications është kryer në ndihmë të forcimit të software-it. Gjithashtu për të dhënë ekspertizën e saj të inteligjencës artificiale për kompanitë e kujdesit shëndetësor.

Kjo pasi gjatë pandemisë, shërbimet e kujdesit shëndetësor në largësi kanë pasur rritje të shpejtë. Dhe parashikohet që rritja e tyre të vazhdojë edhe pas kalimit të periudhës pandemike.

“Nuance siguron mbulimin e inteligjencës artificiale në pikën e kujdesit shëndetësor”, është shprehur Satya Nadella, shefi ekzekutiv e Microsoft-it.

“Inteligjenca artificiale është përparësia më e rëndësishme e teknologjisë dhe kujdesit shëndetësor. Është një nga zbatimet e saj më urgjente”, ka shtuar Nadella.

BBC zbulon se marrëveshja pritet të përfundojë këtë vit.

Pse Nuance?

Firma është me seli në Massachusetts dhe është themeluar që në vitin 1992. Nuance punëson më shumë se 1 mijë e 600 njerëz në të gjithë botën dhe është prezentë në 28 vende.

Kompania njihet si një “pionere” e njohjes së fjalës. Ndërkohë është përqendruar edhe në sigurimin e software-it në sektorin e kujdesit shëndetësor. Ky software ndihmon në automatizimin e raporteve radiologjike dhe lehtëson punën e mjekëve në krijimin e shënimeve të pacientëve.

Bashkë me Microsoft-in

Nadella ka deklaruar se afro 80% e spitaleve amerikane tanimë janë klientë të Nuance-ës. Prandaj dhe blerja e saj do të zgjerojë tregun e mundshëm të Microsoft-it në industrinë e kujdesit shëndetësor.

Ndërsa nga ana e vetë Nuance-ës, bashkimi i forcave me kompaninë teknologjike do të ndihmojë në thellimin e ofertave të saj të bazuara në cloud. Gjithashtu do të lejojë hyrjen e saj në bazën globale ekzistuese të klientëve të Microsoft-it.

Partneriteti mes dy kompanive ka nisur që në vitin 2019 dhe blerja është produkt i tij dhe do të fokusohet në automatizimin e punës administrative siç është dokumentacioni.

Detajet financiare

Për ta bërë pjesë të ombrellës së vet, Microsoft-i do t’i paguajë Nuance-ës 56 dollarë për aksion, çmim që është rreth 23% më i lartë se sa tregonin aksionet e kompanisë.

Pas miratimit të transaksionit nga të dyja bordet e kompanive, Nuance ka pësuar një rritje me 16%.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore