Lajme

Bjellorusia përkrah Putinit: tre skenarët e përfshirjes së Lukashenkos


Lukashenko lexon atë çka i thuhet nga Moska.

Presidenti i Bjellorusisë akuzon armiqtë e jashtëm, denoncon veprimet e mundshme destabilizuese, betohet se janë kundërshtarët e tij ata që duan ta tërheqin atë në konflikt.

Është një përzierje propagandistike që fsheh synimet e vërteta të liderit të Minskut.

Mbetet për t’u parë nëse këtë herë ai do të marrë pjesë drejtpërdrejt në luftime.

Alexander Grigoryevich Lukashenko, në pushtet prej 28 vitesh, shfaqet i ulur në tryezë me gjeneralët e tij. Në fund të takimit ai dha urdhër për krijimin e një “grupi të përbashkët rajonal” me trupat ruse.

Çfarë nënkupton ky njoftim?

Sipas dy gazetarëve të italianes “Corriere della Sera” Guido Olimpio dhe Andrea Marinelli një gjë është e sigurt.

Trupat ruse do të kthehen në Bjellorusi si në fillim të operacionit ushtarak “special”, kur Kremlini kishte grumbulluar trupat e tij përgjatë kufirit me Ukrainën.

“Nuk do të jenë vetëm disa mijëra ushtarë”, u shpjegoi vetë Lukashenko udhëheqësve ushtarakë të vendit të tij. “Bëhuni gati t’i mirëpresim ata në të ardhmen e afërt dhe t’i vendosim aty ku është e nevojshme, sipas planeve tona”.

Sipas inteligjencës ukrainase, 20 mijë ushtarë do të mbërrijnë nga Rusia.

Nuk përjashtohet që presidenti bjellorus do të ndërmarrë një hap tjetër në drejtim të luftës. Dhe për ta bërë këtë duhet të ketë një pretekst, të paketuar mirë.

Për këtë ai akuzoi Poloninë, Lituaninë dhe Ukrainën se mbështesin elementë “radikalë” brenda vendit të tij.

Bëhet fjalë për një teoremë klasike: opozitarët, si ata që në verën e vitit 2020 dolën në rrugë me mijëra për të protestuar kundër rizgjedhjes së Lukashenko-s duke denoncuar vjedhjet në kutitë e votimit, janë të manipuluar nga fuqitë e huaja.

Kështu që ata përfaqësojnë një kërcënim për sigurinë dhe për këtë arsye është e nevojshme të merren kundërmasa.

Në fakt prej muajsh ka sabotime në linjat hekurudhore të përdorura nga agresori rus për të lëvizur mjetet e nevojshme për operacionin “special”.

Regjimi reagoi ndaj këtyre goditjeve me arrestime dhe dënime, duke dëshmuar për një frikë konkrete.

Disa analistë kanë theksuar se prania e disidencës së fortë është frena më e madhe për dërgimin e ushtarëve përtej kufirit.

Do të ishte shume lehtë shpërthimi i një një revolte dhe që në fillim të konfliktit Departamenti i Shtetit i SHBA-ve e gjykoi Lukashenko-n shumë të dobët për të ekspozuar personalisht veten në anën e Putinit.

Për më tepër, 60 mijë ushtarët e Minsk-ut nuk gjykohen si të denjë për një mision të mundshëm.

Megjithatë, vlerësimet teorike shoqërojnë informacionet konkrete.

Krahas njoftimit të njësive të përziera, ka raportime për trena me tanke dhe municione që lëvizin drejt kufirit ukrainas. Në disa kazerma -dhe jo nga sot – autoritetet kanë përgatitur hapësira për të akomoduar mijëra rekrutë rusë, pjesë e atyre të mobilizuar në fund të shtatorit.

Nga Kievi thuhet gjithashtu se disa nga dronët kamikaze të prodhuara nga Irani, të përdorura në bombardimet e së hënës, u nisën nga Bjellorusia.

Ka një vëmendje të veçantë në bazën Luminets, një instalim ku mendohet se kanë mbërritur mjetet e furnizuara nga Teherani.

Për gazetarët italianë tre janë skenarët e mundshëm.

Së pari.

Lukashenko duke mos i rezistuar dot presionit të Putin-it, nga i cili varet financiarisht dhe energjikisht, hyn në luftë duke hapur një front të ri për të përfshirë Kievin, duke u detyruar kështu të transferojë njësitë nga sektorët ku ai është në ofensivë.

Ky ishte një nga skenarët që mendohej që në fillim të pushtimit rus, duke hamendësuar një manovër për të prerë linjat në veri.

Së dyti.

Lukashenko grumbullon batalionet tij në kufi vetëm për të ushtruar presion, duke i lënë ukrainasit në pritje dhe në hamendje. Për t’u mbrojtur ata duhet të vazhdojnë të jenë vigjilentë duke dedikuar garnizone të tëra në zonë në rast se kërcënimi bëhet real.

Sipas ekspertit Franz-Stefan Gady, ky rol devijues ka ndoshta më shumë ndikim sesa veprimi real.

Së treti. Lukashenko e kufizon veprimtarinë e tij duke i favorizuar rusëve bastisjet, logjistikën dhe çdo gjë që mund të jetë e dobishme ashtu siç ka bërë deri më tani. Ndërkohë ama ngre volumin e propagandës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore