Kosova

Bizneset nga Kosova dhe Greqia takohen në forumin e tretë ekonomik


Kosova dhe Greqia kanë zhvilluar një takim virtual mes kryediplomatësh dhe përfaqësuesish të bizneseve në forumin e tretë ekonomik i cili kishte fokus sektorin e energjisë.

Qëllimi i këtij takimi ishte thellimi i mëtejmë i raporteve të bashkëpunimit ekonomik mes të të dy vendeve nëpërmjet forcimit të lidhjeve biznesore.

Në hapje të forumit ekonomik, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka potencuar se ky forum është një ndërmarrje tejet e një rëndësie të lartë për bashkëpunimin ekonomik mes të dy shteteve.

“Këtë forum e vlerësojmë si një investim të veçantë në marrëdhëniet e përgjithshme ndërmjet Kosovës dhe Greqisë. Teksa nxisim bashkëpunimin, ne jemi gjithashtu të hapur dhe të gatshëm për të krijuar marrëdhënie të reja në fusha të tjera si shkenca, sporti, kultura, etj”, është shprehur ministrja Gërvalla.

Nga ana tjetër takimin e ka udhëhequr zëvendësministri i jashtëm grek për Diplomaci Ekonomike dhe Hapje, Kostas Fragogiannis.

Në takim kanë folur edhe kryetarët e Odave Ekonomike të Kosovës dhe të Odës Ekonomike dhe Industriale të Pireut. Ndërsa gjatë forumit ka pasur edhe prezantime nga kompanitë kosovare dhe janë hapur diskutimet rreth shkëmbimit të përvojave në tregun e energjisë.

Në njoftimin e MPJD-së thuhet se ka pas po ashtu prezantime rreth potencialit që ka Kosova për investime nga ana e përfaqësueseve të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik të Kosovës dhe nga përfaqësuesit e Agjencisë KIESA.

Ky forum është i treti me radhë që zhvillohet mes Kosovës dhe Greqisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore