Biznes

Bitcoin-i kap vlerën e 58 mijë dollarëve, si parashikohet muaji prill?


Bitcoin-i ka arritur vlerën më të lartë në një javë këtë të hënë të 29 marsit. 

Kriptovalutës iu rrit vlera me 4,5%. Vlera e saj në treg është 58 mijë dollarë, duke iu afruar së tepërmi vlerës rekord të arritur në fillim të marsit prej 61 mijë dollarëve.

Kompania e kartave bankare Visa Inc, ka thënë se do të lejojë përdorimin e kriptovalutës për kryerjen e transaksioneve në rrjetin e saj të pagesave. 

Visa Inc është kompania e radhës që e bën Bitcoin-in pjesë të transaksioneve të saja.

Shumë kompani të tjera të prodhimit, por edhe të shërbimeve financiare, e kanë bërë të njejtën gjë, duke ia rritur vlerën në tregje financiare.

Që prej tetorit, vlera e monedhës është rritur me 500%. Pasi fitoi terren të konsiderueshëm në mënyrë konstante në muajt e parë të vitit, Bitcoin ka filluar të stabilizohet rreth vlerës 60 mijë dollarë për njësi.

Megjithatë, e ardhmja duket edhe më e ndritshme. Të dhënat historike tregojnë se kriptomonedha, kur pëson luhatje në mars, ndiqet nga një muaj me rritje të fortë.

“Periudha e vitit mund të jetë një faktor i rëndësishëm. Muaji prill është gjithnjë i rëndësishëm, sepse shënon fundin e vitit fiskal për SHBA-në dhe Mbretërinë e Bashkuar”, tha Danny Scott, drejtori i një firme të rëndësishme të shkëmbimit të kriptovalutave.

Analizat e të dhënave në dhjetë vitet e fundit tregojnë se gjatë muajit prill, Bitcoin ka rritje mesatare prej 51%. Nëse trendi respektohet, kjo do të thotë se vlera e Bitcoin-it në prill të 2021-shit, mund të shkojë mbi 80 mijë dollarë.

Në të shkuarën ka patur edhe raste kur muaji prill ka rezultuar me humbje për Bitcoin-in, respektivisht në vitet 2014 (-6%) dhe 2015 (-4%).

“Për momentin ndodhemi në një situatë të konsoliduar, e cila përmirësohet nga java në javë”, thotë Scott-i. Ai ia dedikon momentin e mire përfshirjes së profileve të larta të biznesit internacional, në pagesat me kriptovaluta.

Visa Inc, Elon Musk dhe disa gjigandë të Wall Street-it, janë vetëm disa prej tyre, me emra të rinj që dalin rishtazi çdo javë.

Megjithatë, ka edhe nga ata që janë më skeptikë për rritjen e vlerës së Bitcoin-it gjatë muajit prill.

Skepticizmi vjen prej faktit që ekspertët nuk gjejnë dot një lidhje logjike për rritjen e kriptomonedhës pikërisht në këtë muaj.

Ka prej atyre që mendojnë se kjo është thjeshtë një koinçidencë. 

“Unë nuk di të them një arsye të mirë përse ndodh kjo [rritja e vlerës së Bitcoin-it në muajin prill]”, thotë Bobby Ong, drejtues për sektorin e kriptovalutave në kompaninë e të dhënave CoinGecko. 

Si gjithnjë me Bitcoin-in, e ardhmja është e paparashikuar qartë dhe me shumë hapësirë për luhatje.

Megjithatë, mbetet i pamohueshëm momenti i mirë që po kalon, me kompani të mëdha që e kanë bërë pjesë të transaksioneve të tyre financiare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore