Kosova

Bislimi: Vendimi për targat s’ka të bëjë me marrëveshjen e Brukselit


Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi.

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, ka deklaruar se vendimi për reciprocitet me targat për automjetet serbe nuk ka të bëjë asgjë me marrëveshjen e Brukselit.

“Vendimi për targat nuk ka të bëjë asgjë me marrëveshjen e Brukselit, pasi ajo marrëveshje ka skaduar më 15 shtator. Vendimi për reciprocitet ishte vendim sovran i Kosovës. Është gabim dhe konfirmimi i asaj që po mundohet të manipulojë edhe Vuçiçi se ky vendim ka të bëjë me marrëveshjen e Brukselit”, tha Bislimi.

I dyti i ekzekutivit, një qasje të tillë e ka quajtur gabim dhe konfirmim i manipulimit të presidentit serb, Aleksandër Vuçiçit.

Përveç kësaj, në komisionin për Integrime Evropiane në të cilën ka raportuar Bislimi është miratuar me shtatë vota Programi Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim- Asociimit 2021-2025.

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, tha se kjo marrëveshje përbëhet nga tri kritere –  politike, ekonomike dhe standardet evropiane – dhe kostoja e saj është 47.7 milionë euro.

“Dokumenti është i përbërë prej 250 faqesh, pra përmban një volumitet të përmbajtjes. Për zbatimin e këtij plani kombëtar nuk kemi probleme buxhetore dhe kostoja e saj është 47.7 milionë euro. Plani kombëtar përmban 61 projektligje me standarde evropiane”.

Ndërsa, diskutoi edhe për temën e ardhjes së gazit amerikan në Kosovë.

Ai shtoi se kjo marrëveshje nuk e sjell asnjë litër gaz nga ShBA-ja, por nga Azerbajxhani dhe Rusia.

“Marrëveshja për gazin nuk e sjell asnjë litër gaz nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. I gjithë gazi është nga Azerbajxhani dhe Rusia, është budallallëk të thuhet se gazi që është nga Greqia dhe përmes Maqedonisë së Veriut është nga Amerika”.

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi në komisionin për Integrime Evropiane.

Ndërsa, i pyetur nga deputetët për emërimet politike në Qeverinë Kurti, Bislimi deklaroi se ka pasur keqpërdorime të mëdha në këtë temë .

Vendimi i autoriteteve të Kosovës për të zbatuar masa reciprociteti ndaj automjeteve me targa të Serbisë, që hyjnë në Kosovë, ka nxitur protesta të banorëve serbë në veri të Kosovës dhe reagime të ashpra të Beogradit zyrtar.

Përfaqësues të Serbisë thonë se Kosova, me këtë veprim, ka shkelur dispozita të Marrëveshjes së Brukselit, të cilën dy vendet e kanë arritur me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Marrëveshja për lirinë e lëvizjes midis Kosovës dhe Serbisë është arritur në vitin 2011 në Bruksel.

Me këtë dokument, targat serbe me shenjat e qyteteve të Kosovës, si PR (Prishtinë), GL (Gjilan) KM (Mitrovicë), janë hequr. Domethënë, automjetet me targa të tilla është dashur të regjistrohen sërish me RKS (Republika e Kosovës) ose me status neutral – KS (Kosovë).

“Të gjithë pronarët e makinave me vendbanim në Kosovë do të përdorin targa RKS ose KS. Ato do të lëshohen nga autoritetet përgjegjëse në Kosovë”, thuhet në pikën 7 të Marrëveshjes për lirinë e lëvizjes.

Por, pavarësisht saj, në katër komuna në veri të Kosovës, ku shumica e popullsisë është serbe, qytetarët kanë vozitur makina me targa të qyteteve në Kosovë, të lëshuara nga Ministria e Brendshme e Serbisë.

Në anën tjetër, qytetarët e Kosovës nuk kanë mundur të hyjnë në territorin e Serbisë me targa RKS, pa shpenzime. Ata është dashur t’i zëvendësojnë ato me targa të përkohshme. Kështu që, me marrëveshje, Kosova është detyruar që edhe për pesë vjet të tjerë të lëshojë targa KS, të cilat Serbia i ka pranuar.

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi në komisionin për Integrime Evropiane.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore