Bislimi takohet me sekretarin e MPJ të Gjermanisë – flasin për dialogun mes Kosovës e Serbisë

SHFLETO

Sekretari i shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Miguel Berger dhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi

 

Valon Rashiti
29.09.2021 10:21
Loading Icons...

“Ishte kënaqësi ta takoja zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimin me të cilin biseduam për dialogun Kosovë – Serbi dhe marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe.

Kështu ka shkruar në Twitter sekretari i shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Miguel Berger, pas takimit me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi.

“E rëndësishme është tani që të dyja palët të qetësojnë situatën dhe të kthehen në tryezën e bisedimeve sa më shpejt. Përparimi në dialog është në interes të të dyja shteteve si Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar Berger në Twitter.

Këtë të mërkurë në Bruksel, Bislimi do të takohet me Drejtorin e Zyrës së ashtuquajtur për Kosovën, Petar Petkoviç, pas situatës së tensionuar në veri, pasi Qeveria e Kosovës më 20 shtator ka filluar zbatimin e masave të reciprocitetit në tabelat e automjeteve të cilat hynë nga Serbia në Kosovë.

“Ata do të përdorin platformën e dialogut për të shqyrtuar rrugën përpara, që do të thotë de-përshkallëzim të situatës, sepse ajo që po ndodh aktualisht nuk është e mirë për popullin e Kosovës, Serbisë, por edhe në rajon”, tha Stano për Albanian Post të martën.

Çështja kryesore e bisedimeve do të jetë situata e fundit, ku do të tentohet të gjendet një rrugëdalje dhe të vendoset si do të vazhdohet me kërkesën e Kosovës për reciprocitet me targat.

Në këtë raund pritet të jepet një zgjidhje dhe të arrihet një pajtim për targat dhe kalimet e dyanshme të veturave në këto pika kufitare. Veç kësaj teme, do të bisedohet edhe për disa çështje të tjera, që lidhen me këtë situatë të krijuar në pikat kufitare.

Në këtë takim pritet të marrë pjesë edhe Zëvendës Ndihmës Sekretari i Departamentit të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Gabriel Escobar.