Bislimi: S’kemi pasur nevojë për sqarime shtesë për draft-statutin, s’mund të nis themelimi pa nënshkrim

Besnik Bislimi

Armat Matoshi
16.11.2023 15:42
Loading Icons...

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, në një prononcim për media pas takimit me Emisarin Special të Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, të enjten në Bruksel, ka thënë se në këtë takim nuk është diskutuar për draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, sepse nuk ka pasur nevojë, ndonëse ka qenë në agjendë.

Ai ka thënë se pa nënshkrimin e Marrëveshjes Bazë (Bruksel, 27 shkurt) dhe Aneksit të Implementimit (Ohër, 18 mars), s’do të nis puna për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, duke theksuar sërish pozicionin e Kosovës, përkundër se është pranuar në parim nga kryeministri kosovar, Albin Kurti, në takimin me liderët evropianë më 26 tetor.

“Ne i kemi treguar Lajçakut se kemi pozicion të qartë… Jemi të gatshëm ta pranojmë dokumentin e plotë, ta nënshkruajmë së bashku me dy dokumentet tjera. S’kemi pasur nevojë për sqarime shtesë nga BE-ja, prandaj edhe s’kemi diskutuar”, ka thënë ai, duke shtuar se ka pasur gatishmëri të madhe të Lajçakut që t’i akomodojë kërkesat e palës kosovare.

Bislimi ka vlerësuar ndër të tjera se pika më e rëndësishme e takimit ka qenë diskutimi për finalizimin e sekuencimit të Marrëveshjes Bazë dhe Aneksit të Implementimit, derisa ka shtuar se draft-statuti i prezantuar nga emisarët perëndimorë më 21 tetor ka pasur “kujdes të shtuar” për Kushtetutën e Kosovës, por fjalën e fundit do ta ketë Gjykata Kushtetuese.

“Kemi pasur drafte që kanë qarkulluar, por mund të themi që drafti që i është dorëzuar Kosovës nga miqtë tanë të BE-së dhe SHBA-ve, gjatë përgatitjes së neneve të veta, ka pasur një kujdes të shtuar për provizionet kushtetuese të Kushtetutës së Kosovës”, ka shtuar ai, derisa ka njoftuar se janë diskutuar edhe çështje tjera në kuadër të dialogut Prishtinë-Beograd.

Në Bruksel të enjten ka qëndruar edhe shefi i delegacionit të palës serbe, Petar Petkoviç, por nuk ka pasur takim trelateral. Bislimi dhe Petkoviç janë takuar veç e veç me të dërguarin e BE-së për dialogun, në përpjekje për të çuar përpara zbatimin e obligimeve që palët kanë marrë përsipër, përfshirë themelimin e Asocaicionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Të fundit

Aktuale