Bislimi: Rregullorja e BQK-sё s’ndikon nё dialog – dinari s’ёshtё lejuar kurrё nё Kosovё

Besnik Bislimi

Armat Matoshi
18.01.2024 17:07
Loading Icons...

Zёvendёkryeministri i Kosovёs, Besnik Bislimi, deklaroi se rregullorja e Bankës Qendrore (BQK) për operacionet me para të gatshme, ku specifikohet se monedha e vetme që lejohet për kryerjen e transaksioneve dhe pagesave është euro, nuk do të ndikojë në procesin e normalizimit tё marrëdhënieve Kosovë-Serbi nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE).

Në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë, përveç valutës euro, deri tani është përdorur edhe dinari. Në katër komuna në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – çmimet nëpër dyqane janë shënuar me dinarë. Viteve të fundit është praktikuar importimi i dinarëve nga Serbia, por Bislimi theksoi se dinari s’është lejuar kurrë.

“Nuk ka pasur se si tё anulohet pёrdorimi i dinarit, pra diçkaje qё nuk ka qenё e lejuar asnjёherё mё parё. Pёr mё tepёr, as dinari e as monedhat e asnjё shteti tjetёr fqinj nuk janё pёrmendur fare nё tekstin prej 40 faqesh tё kёsaj rregulloreje”, shkroi shefi i ekipit negociator tё palёs kosovare pёr çёshtje teknike, duke iu referuar rregullores që do të hyjë në fuqi më 1 shkurt.

“Cfarёdo interpretimi tjetёr ёshtё i pasaktё dhe synon manipulimin e opinionit publik”, nёnvizoi zёvendёskryeministri kosovar, ndёrsa shtoi se BQK-ja ёshtё autoriteti i vetёm nё vend pёr dizajnimin dhe mbikёqyrjen e politikave monetare dhe detyrohet tё draftojё “rregullat e lojёs” pёr subjektet financiare apo jofinanciare dhe personat fizik apo juridik.

E vetmja gjё qё zvogёlohet pas rregullores sё re tё BQK-sё ёshtё hapёsira pёr keqpёrdorim nё emёr tё mbёshtetjes e ndihmave sociale, praktikё qё sipas zёvendёskryeministrit kosovar ёshtё pёrsosur nga “sekserёt politikё” nё Serbi, tё cilёt pёr secilin dinar qё kanё dёrguar tek familjet e komunitetit serb, kryesisht nё veri tё Kosovё kanё vjedhur pesёfish mё shumё.

“Insistimi qё edhe mё tej, transferi i parave pёrtej kufirit shtetёror tё bёhet dhe tolerohet nё mёnyrё klandestine, me thasё e vetura individuale, e pastaj tё shpёrndahet pёrmes zyreve tё paregjistruara e të palicensuara, jo vetёm qё ngjason nё ide tё shekullit të 19-të, por edhe synon mbajtjen e qytetarёve pёrfitues nё ilegalitet dhe varёsi konstante nga tё njëjtёt sekserё”.

Të fundit

Aktuale