Lajme

Bislimi për marrëveshjen e targave: Pala serbe kërkoi edhe 6 muaj shtesë


Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi,

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, gjatë raportimit në Komisionin për Punë të Jashtme, të hënën ka bërë të ditur se në dialog me Serbinë në Bruksel është trajtuar çështja e marrëveshjes përfundimtare për targat e përkohshme dhe sa i përket energjisë në veri të Kosovës.

Ai ka thënë se Kosova ka prezantuar disa opsione në përputhje me standardet evropiane sa i përket zgjidhjes së problemit me targat, mirëpo nuk ka pasur gatishmëri nga ana e palës serbe.

“Për targat janë prezantuar disa opsione në përputhje me standardet evropiane. Pala kosovare ka zgjedh opsionin e vet, por ka munguar nga pala serbe. Ata i kanë kërkuar edhe gjashtë muaj shtesë, për shkak të zhvillimeve pas zgjedhjeve. Kërkesa për ne është joserioze dhe nuk kanë qenë të sinqertë”, ka thënë Bislimi.

Ndërsa, ka shtuar se në takimin e fundit të mbajtur në Bruksel në nivel të kryenegociatorëve gjatë javës së dytë të muajit maj, është diskutuar edhe për çështjen e energjisë elektrike në veri të vendit.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi.

“Kemi prezantuar udhërrëfyes që parasheh hapat që nga licencimi i Elektroseverit. Jemi në rrugë të mirë të kemi rezultate konkrete në mënyrë që veriu të futet brenda sistemit të Kosovës të faturimit, distribuimit”, ka thënë ai.

Temë diskutimi gjatë takimit të dy palëve ka qenë është çështja e të pagjeturve, në hartimin e një deklarate-dokument për rritjen e intensitetit.

Ai ka thënë se Serbia ka bërë përpjekje që ta ngrit edhe çështjen e të zhvendosurve brenda vendit, por që pala kosovare ka refuzuar.

Më 13 maj, Kosova dhe Serbia s’kanë arritur marrëveshje për çështjen e targave.

Kështu ka bërë të ditur emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, pas takimeve me delegacionet e të dyja shteteve të premten 13 majit në Bruksel.

Mirëpo, sipas tij ka pasur rezultate të përziera duke shtuar se ka pasur progres në temat tjera, përfshirë energjinë.

Edhe, më 21 prill, kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, kishte bërë të ditur se me palën serbe nuk kanë arritur marrëveshje për çështjen e targave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore