Bislimi, ndihmëssekretarit të OKB-së: Serbia ka 48 baza ushtarake në kufirin me Kosovën

SHFLETO
Valon Rashiti
21.06.2024 14:32
Loading Icons...

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, gjatë takimit me Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për Evropën, Azinë Qendrore dhe Amerikën, Miroslav Jenca, i ka treguar këtij të fundit për qasjen destruktive të Serbisë.

“Zëvendëskryeministri rikujtoi se, fqinji ynë verior ka 48 baza të përparme operacionale përreth kufirit me Kosovën, në vazhdimësi mban ushtrime e stërvitje të mëdha ushtarake pak kilometra larg kufirit me shtetin tonë dhe fluturon avionët luftarakë MIG 29 përreth kufirit”, thuhet në njoftim për media të Qeverisë.

Po ashtu është disktuar edhe mbi procesin e dialogut, ku Bislimi e njoftoi Jenca-n me zhvillimet e fundit, duke shprehur konstruktivitetin dhe angazhimin e vazhdueshëm të palës sonë në këtë proces, i cili fatkeqësisht është përballur me destruktivitetin dhe mungesën e vullnetit e gatishmërisë për hapa tutje e zbatim të marrëveshjeve nga ana e palës tjetër.

Sipas njoftimit, Bislimi ka biseduar me Jencan edhe për situatën në vend e rajon, objektivat e Qeverisë dhe të arriturat në tri vitet e fundit, duke theksuar se vendi po avancon e zhvillohet me ritëm të shpejtë, pavarësisht barrierave me të cilat po përballemi.

“Sipas të dhënave më të fundit dhe nga ASK-ja, tremujori i parë i këtij viti ka shënuar rritje ekonomike në nivelin 5.62%. Edhe projeksionet e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar për vitet e ardhshme, si dhe rankimet ndërkombëtare të Kosovës në shumë fusha, qëndrojnë si dëshmi e progresit të vendit tonë”, shtoi ai.