Kosova

Bislimi: Me mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar do të arrijmë të anëtarësohemi në BE, NATO dhe KiE


Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka deklaruar se Kosova pret mbështetje nga Mbretëria e Bashkuar, për t’i arritur synimet e saj për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, NATO dhe Këshill të Evropës.

Ai është shprehur optimist në pritjen e organizuar nga Ambasada Britanike se do të kenë përkrahje nga Mbretëria e Bashkuar.

“Në aspiratat dhe rrugëtimin që kemi përpara, ne kemi besim se me mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar dhe aleatëve tanë perëndimorë, do t’i arrijmë qëllimet tona, teksa marrëdhëniet tona diplomatike, vizitat dypalëshe, bashkëpunimi dhe lidhja ndërnjerëzore po forcohen dita-ditës”.

“Një lidhje më e thellë në politikë, kulturë, ekonomi, siguri dhe shumë fusha të tjera”, deklaroi Bislimi.

Për zëvendëskryeministrin, Mbretëria e Bashkuar mban një “vend të veçantë” në Kosovë.

“Në rrugëtimin tonë për liri, Mbretëria e Bashkuar ka qenë gjithmonë një aleat i palëkundur – një komb që përkrah lirinë dhe vlerat demokratike, që na qëndruan pranë gjatë luftës dhe përpjekjeve tona për çlirim, dhe vitet pasuese të rindërtimit të vendit tonë”.

Teksa ka përmendur edhe mbështetjen që u është dhënë në të kalurën.

“Javën e kaluar, pritëm ish-kryeministrin Tony Blair, për të shënuar së bashku 25 vjet nga çlirimi i Kosovës. Ne e vlerësojmë shumë dhe nuk do ta harrojmë kurrë mbështetjen e tij të palëkundur gjatë luftës.” tha zëvendëskryeministri”.

Kosova u mbështet nga shumica e deputetëve në Asamblenë e Parlamentare të Këshillit të Evropës për të kaluar fazën e parafundit drejt anëtarësimit në panteonin e kombeve të barabarta evropiane.

Megjithatë, rruga e vendit devoji krejt në fund, duke bërë që anëtarësimi në këtë organizatë të rëndësishme evropiane të shtyhet për të paktën një vit, nëse jo më shumë.

Arsyeja pse Kosova nuk hyri në agjendën e seancës së radhës së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës më 17 maj, ku do të votohej pro apo kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, ishte kushtëzimi që Gjermania dhe Franca i bënë Kosovës duke kërkuar nga ajo hapa konkret në raport me Asociacionin – të paktën dërgimin e draft-statutit të këtij mekanizmi në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim.

Pak ditë pasi Kosova mbeti jashtë agjendës Qeveria e Kosovës, njoftoi se ka vendosur ta dërgojë një draft-statut për Asociacionin në Kushtetuese brenda majit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore