Lajme

Bislimi jep intervistë si zyrtar i BE-së, tregon kur/si anëtarësohet Ballkani Perëndimor


Besnik Bislimi

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, në një intervistë për kanalin “Euronews” në gjuhën greke, derisa komentoi mbi mungesën e progresit të Kosovës në rrugën drejt integrimit evropian, konsideroi se as shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor nuk mund të lëvizin shpejtë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE) apo thjesht: ose të gjithë, ose asnjë.

“Nuk mund të ketë integrim të shpejtë të një pjese të rajonit. Ose do të kenë sukses të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor ose do të ngelin të gjithë pas”, tha zëvendëskryeministri kosovar, duke marrë parasysh që sfidat politike dhe ekonomike me të cilat përballen gjashtë vendet e rajonit, përfshirë procesin e dialogut Kosovë-Serbi, mund të marrin vite për t’u zgjidhur.

Kosova dorëzoi dokumentacionin për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022, por BE-ja ende s’ka marrë ndonjë vendim se si do të procedohet tutje. Dhe arsye për këtë janë kryesisht tensionet e vazhdueshme midis Prishtinës dhe Beogradit. E pikërisht këtë çështje e adresoi Bislimi, por u shpreh optimist se momenti i marrjes së statusit të vendit kandidat do të vije shpejt.

“Ende s’ka progres rreth aplikimit tonë sepse ne duhet të kalojmë një pengesë shtesë – vendimin e Këshillit Evropian për të udhëzuar Komisionin Evropian që të dorëzojë një pyetësor. Megjithatë, kjo nuk e pengon Kosovën të bëjë detyrën e saj për të harmonizuar më tej politikat dhe reformat me standardet e BE-së”, shtoi ndër të tjera zëvendëskryeministri kosovar.

Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk është kandidat zyrtar për anëtarësim në BE. Aktualisht, vendi i vogël ballkanik mbetet shumë larg integrimeit evropian, posaçërisht sa i përket hapave formalë të procesit të zgjerimit, duke qenë se BE-ja tani pritet t’i japë dritën e gjelbërt edhe nisjes së negociatave të anëtarësimit për Bosnje dhe Hercegovinën.

Derisa vendet nga Ballkani Perëndimor anëtarësimin në BE e përjetojnë sikur njëfarë kthimi në kontinentin evropian, shumë nga shtetet perëndimore anëtare kanë një qëndrim skeptik, posaçërisht ndaj një rajoni të rrethuar nga armiqësitë etnike. Arsyet për këtë distancë janë të ndryshme, por kryesor është fakti se nuk duan të pranojnë në bllok shtete problematike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore