Kosova

Bislimi ia riafirmon Oravit angazhimin për reformat e BE-së


Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe shefi i BE-së, Aivo Orav

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, të premten është takuar me shefin e ri të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, të cilit ia ka shprehur përkushtimin dhe gatishmërinë për të ndërtuar partneritet të ngushtë për përparimin e agjendës evropiane të Kosovës.

Takimi është bërë i ditur përmes një komunikate dërguar mediave nga Zyra e Kryeministrit.

“Në fokus të bisedës ishin marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, lidershipi i ri pas zgjedhjeve evropiane, bashkëpunimi ndërinstitucional, qeverisja dhe progresi i Kosovës në demokratizim, sundim të ligjit, politikat energjetike dhe reformat ekonomike, të cilat së fundi u përshëndetën edhe nga Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen”.

Ndër të tjera, ka përmendur edhe angazhimin e Kosovës për të vazhduar reformat e nevojshme që të avancohet pozicioni i saj.

“Drejt marrjes së pyetësorit para statusit kandidat të BE-së, dhe gjithashtu konfirmoi angazhimin në përmbushjen e reformave nga Plani i Rritjes”.

Të enjten, Orav është takuar edhe me kryeministrin Albin Kurti.

Kosova ka dorëzuar dokumentacionin për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022, por blloku 27-shtetesh akoma nuk e ka marrë në konsideratë, kryesisht për shkak të tensioneve të vazhdueshme midis Kosovës dhe Serbisë dhe situatës së paqendrueshme në pjesën veriore të Kosovës.

BE-ja ka vendosur masa ndaj Kosovës para një viti, përkatësisht në qershor të 2023-ës, posaçërisht për shkak të përshkallëzimit të situatës së sigurisë në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe.

Emërimi i Orav vjen në kohën kur marrëdhëniet Kosovë-BE janë gati në gradën e fundit.

Këshilli i BE-së ka emëruar diplomatin estonez në postin e përfaqësuesit të posaçëm të bllokut në Prishtinë në korrik të këtij viti, duke pasuar kështu diplomatin çek, Tomas Szunyog, që ka shërbyer në këtë post që nga viti 2020.

Orav, një diplomat me përvojë rreth 30-vjeçare në diplomacinë evropiane, nacionale e rajonale, do të ketë mandat fillestar prej dy vjetësh.

Osmani takon shefin e ri të BE-së në Prishtinë: Kosova ka mbushur kushtet për ta fituar statusin e vendit kandidat

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore