Bislimi e demanton veten: Unë s’kam spekuluar për masat, ka spekuluar dikush tjetër

SHFLETO

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi.

 

Altina Marmullaku
19.06.2024 10:41
Loading Icons...

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, në Komisionin për Integrime Evropiane është pyetur rreth deklaratës së zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, i cili i ka quajtur “spekulime”, deklarimet e tij për largimin e masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian, në përpjekje për t’u mbrojtur ai ka mohuar pretendimet se ka spekuluar ai.

Sipas tij, personi që ia ka dhënë atij këtë informacion ka spekuluar.

“Zotëri Stano, ka thënë se nuk ka hapësirë për spekulime dhe unë pajtohem që nuk ka hapësirë për spekulime. Por, unë nuk kam spekuluar ka spekuluar dikush tjetër”.

“Shpresojmë që masat të largohen, sepse është dëshira jonë”, ka thënë Bislimi, kur u pyet nga deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi për deklaratat e zëdhënësit të BE-së.

Bislimi, duke raportuar para Komisionit për Integrime Evropiane javën e kaluar në Prishtinë, u shpreh optimist se në raportin e Borrellit “do të rekomandohet heqja e masave” ndëshkuese kundër Kosovës.

Pas kësaj deklarate, më 17 qershor, zëdhënësi i Bashkimit Evropian (BE), Peter Stano, në një konferencë për media, deklaroi se Bislimi, nuk ka nevojë të spekulojë për “përmbajtjen dhe oraret” rreth raportit të shefit të diplomacisë evropiane për “masat negative” të BE-së ndaj vendit.

“Kjo është një çështje institucionale mes përfaqësuesit të lartë dhe vendeve anëtare. Vendet anëtare janë ato që kanë kërkuar një raport dhe, natyrisht, është përfaqësuesi i lartë ai që do ta dërgojë raportin tek vendet anëtare. Ato do të jenë të parat që do të dinë se kur do të ndodhë dhe çfarë përmban raporti, dhe kjo ende nuk ka ndodhur”, kishte deklaruar Stano.

Më 19 qershor, përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, në raportin e përpiluar për Kosovën, rekomandoi shtetet anëtare të qëndrojnë për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës.

Zyrtarë të BE-së vazhdimisht kanë nënvizuar se “sanksionet” ndaj Kosovës, që u implementuan në bazë të deklaratës së 27 vendeve anëtare të 3 qershorit 2023, do të hiqen vetëm atëherë kur ekzekutivi kosovar të bëjë “hapa konkretë” në drejtim të deeskalimit të situatës në Veri, përfshirë hapjen e procedurave për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.