Kosova

Bislimi e cilëson të dështuar takimin për dinarin në Bruksel


Besnik Bislimi

Kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, e ka konsideruar “të dështuar” takimin e së mërkurës në Bruksel për dinarin, pas vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës për ndalimin e kësaj valute për pagesa në territorin e Kosovës.

Pas negociatave disa orëshe mes Bislimit dhe kryenegociatorit serb, Petar Petkoviç, me ndërmjetësimin e të Dërguarit Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, kryesuesi i delegacionit kosovar ka theksuar se pala serbe erdhi me propozime të reja për çështjen, “e jo me përgjigje”.

Këto komente, Bislimi i ka bërë në një prononcim para gazetarëve, pas përfundimit të takimit, derisa ka deklaruar se nuk pret takime të tjera për këtë temë.

“Në komentet tona, ne kemi parë se në cilat pika mund të bëjmë kompromise për propozimin e Lajçakut. Te komentet e palës serbe kemi parë tendencë që në shumë pika të largohen nga ai. Kjo e dëshmon atë që e kemi thënë shumë herë më parë: për Serbinë kjo çështje nuk përbën kurrfarë urgjence, primare për të është të mos lejoj zgjidhje për këtë çështje”, tha Bislimi raporton “Radio Evropa e Lirë”.

Ndërmjetësi Lajçak, siç ka potencuar Bislimi, nuk do t’i ftojë më palët, pos nëse ato do të tregoheshin konstruktive.

“S’ka logjikë të takohemi më për këtë temë. Sepse Serbia s’është e interesuar për zgjidhje. E ky ishte edhe njëfarë konstatimi i Lajçak-ut që tha se nuk do të ju ftoj më, por ju nëse dëshironi të bëheni konstruktivë, mund të rishohim mundësinë e takimit të serishëm”, pohoi.

Ajo që ka ndodhur, sipas Bislimit, “është se të dyja palët kemi pasur për t’i dërguar komentet mbi propozimin e Lajçak-ut, e ata [Serbia] kanë dërguar propozim të tyrin”.

“Te propozimet tona janë parë pikat që mund të bëjmë kompromise e të afrohemi, ndërsa te Serbia tendencën që të largohemi edhe nga qëndrimet paraprake”, shtoi.

Nga ana tjetër, Petkoviç potencoi se pala serbe doli me “gjashtë propozime të reja konstruktive”, por, siç pretendoi ai, “Prishtina i refuzoi të gjitha”.

“Ne nuk e kemi mbyllur derën për bisedime, sepse duam të gjejmë një zgjidhje”, deklaroi Petkoviç.

Ai nuk ka dhënë detaje se çfarë përmbajnë propozimet e palës serbe.

Ndryshe, takimi i së mërkurës Bislimi-Petkoviç, me ndërmjetësimin e Lajçak-ut, ishte i shtati me radhë në mes tyre, në përpjekje e sipër për të gjetur një zgjidhje kompromisi për çështjen e dinarit.

Rezultati i të gjithë këtyre takimeve të shumta është i njëjtë: pa marrëveshje.

Dinari ishte bërë çështje e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë pas vendimit të BQK-së për ndalimin e kësaj valute për pagesa në territorin kosovar, duke e përcaktuar kështu euron si të vetmen valutë ligjore që lejohet për transaksione me para të gatshme në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore