Lajme

Biserko: Vuçiç është nën presion të madh për terrorizmin e 24 shtatorit


Sonja Biserko

Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, deklaroi se presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, aktualisht është nën presion të madh nga bashkësia e organizuar ndërkombëtare për shkak të sulmit terrorist të paramilitarëve serbë vitin e kaluar në Banjë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës.

“Vuçiç është nën presion të madh jo vetëm për shkak të zgjedhjeve, por mbi të gjitha për shkak të Banjskës, pasiqë ai nuk ishte një kërcënim ndaj sigurisë rajonale, por edhe për Evropën – kërcënim ndaj të cilit Perëndimi reagoi menjëherë. Raporti i Qeverisë së Kosovës ishte shumë i detajuar dhe shumë bindës”, tha Biserko në një intervistë për portalin malazez “Antena M”.

Gruaja që dokumentoi krimet e udhëheqësve serbë – Sllobodan Millosheviç dhe Vojisllav Sheshel – në ish-Jugosllavi gjatë viteve 1990-1999, shtoi se presidenti pret rezultatet e zgjedhjeve për Parlamentin Evropian (PE) në qershor dhe rezultatet e zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) në nëntor të këtij viti për të përcaktuar hapat e radhës.

Ajo komentoi edhe Rezolutën e PE-së, ku përveçse kërkohen hetime të pavarura për parregullsitë që janë raportuar gjatë zgjedhjeve të fundit në Serbi, kërkohet nga Komisioni Evropian (KE) edhe pezullimi i fondeve të Bashkimit Evropian (BE) në rast se vërtetohet përfshirja e drejtëpërdrejtë e autoriteve serbe në vjedhjen e votave, veçanërisht në Beograd.

“Ajo rezolutë ishte e pritshme, u fol shumë. Duke qenë se BE-ja kritikoi mënyrën se si u zhvilluan zgjedhjet në dhjetor në të gjitha nivelet, do të thoja se Gjermania u dallua në veçanti… Rezoluta e PE-së është moralisht dhe politikisht detyruese! Së dyti, të gjitha qeveritë, përveç asaj hungareze dhe ndoshta sllovake, mbështesin dhe ushtrojnë presion në këtë drejtim”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore