Lajme

BioNTech pret rezultatet e provave të vaksinave për foshnjat deri në shtator


Kompania BioNTech deri në muajin shtator do të presë rezultatet e testimeve të vaksinës Covid-19. Ajo dhe Pfizer kanë zhvilluar disa teste te foshnjat deri në gjashtë muajsh, ka deklaruar CEO i kompanisë për revistën gjermane “Spiegel”.

Sipas shefit Ekzekutiv të BioNTech, Ugur Sahin, “rezultatet e para mund të jenë në dispozicion për moshat pesë deri në 12 vjeç në korrik, kurse në shtator për fëmijët më të vegjël”.

Gjithsesi, tha ai për “Spiegel”, do të duhen rreth katër deri në gjashtë javë për të vlerësuar të dhënat.

“Nëse gjithçka shkon mirë, sa më shpejt që të vlerësohen të dhënat, ne do të jemi në gjendje të paraqesim aplikimin për aprovimin e vaksinës për të gjithë fëmijët e grupmoshës përkatëse në vende të ndryshme”, tha ai.

BioNTech dhe Pfizer kërkuan nga rregullatorët amerikanë këtë muaj të aprovojnë përdorimin emergjent të vaksinës së tyre për adoleshentët e moshës 12 deri në 15 vjeç.

Sahin u citua nga “Spiegel” të thoshte se kompania ishte “në fazat e fundit para dorëzimit” te rregullatorët evropianë për fëmijët e moshës 12 vjeç e lart.

Një provë e botuar në fund të marsit zbuloi se vaksina Covid-19 e kompanive gjermano-amerikane ishte e sigurt, efektive dhe prodhon përgjigje të fuqishme të antitrupave tek adoleshentët.

Vaksina Pfizer-BioNTech është tashmë e autorizuar për përdorim nga moshat 16 vjeç e lart.

Të rinjtë mund të kenë komplikacione të rënda të Covid-19. Në shumë prej tyre, mund të shkaktohet infeksion i fshehur dhe kështu ata mund ta transmetojnë pa dashur Covid-19 te të tjerët.

Përshtatur nga Reuters për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore