Lajme

Bill Gates kundër ndalimit të zhvillimit të inteligjencës artificiale


Bashkëthemeluesi dhe filantropisti i Microsoft-it, Bill Gates, ka thënë se një ndalim në zhvillimin e inteligjencës artificiale (AI), e kërkuar nga pronari i Twitter, Elon Musk dhe më shumë se 1 mijë ekspertë, nuk është një zgjidhje për sfidat e paraqitura nga kjo teknologji.

Në një intervistë për agjencinë “Reuters”, ai deklaroi se nuk është e qartë se si do të funksiononte një pauzë në zhvillimin e AI në nivel global dhe sugjeroi që potenciali i inteligjencës artificiale duhet të përdoret në mënyrën më të mirë të mundshme.

“AI sjell përfitime të mëdha, kjo është e qartë, dhe ne duhet të identifikojmë fushat e zhvillimit të inteligjencës artificiale që mund të jenë problematike. Nuk e kuptoj se kush mund të ndalojë zhvillimin e AI. A do të pajtohej çdo vend për një ndërprerje të tillë?”, u shpreh Gates, duke shtuar se ka mendime shumë të ndryshme për këtë temë.

Reuters raportoi se ishte komenti i parë publik i Gates për një letër të hapur nga Musk dhe një grup ekspertësh të AI dhe drejtuesve të industrisë, të cilët kërkuan të paktën një pauzë gjashtëmujore në zhvillimin e AI.

Nënshkruesit e letrës së hapur, të publikuar nga Instituti jofitimprurës “Future of Life”, kërkojnë një moratorium për zhvillimin e AI derisa të arrihen protokollet e përbashkëta të sigurisë për arritje të tilla, raporton agjencia britanike.

“Sistemet e fuqishme të inteligjencës artificiale duhet të zhvillohen vetëm kur jemi të bindur se efektet e tyre do të jenë pozitive dhe kur mund të menaxhojmë rreziqet që ato përmbajnë”, thuhet në letër.

Musk dhe ekspertët “njëzëri”: Ndalni inteligjencën artificiale

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore