Lajme

Bilçik për dështimin e negociatave në Bruksel: Topi është në duart e Qeverisë së Kosovës


Vladimir Bilçik

Raportuesi për Serbinë në Parlamentin Evropian, Vladimir Bilçik, derisa ka komentuar dështimin e raundit të ri të negociatave diplomatike nën kujdesin e Bashkimit Evropian (BE) mes Kosovës dhe Serbisë, ka thënë se aktualisht “topi është në duart e Prishtinës” për zhbllokimin e procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nën ndërmjetësimin e BE-së.

Në një intervistë për qendrën hulumtuese të organizatave jo-qeveritare në Beogard (Demostat), eurodeputeti sllovak ka thënë se procesi i dialogut Prishtinë-Beograd duhet të vazhdojë, por në mënyrë që të sjellë rezultate, autoritetet kosovare duhet të lëvizin drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në veriun e vendit të banuar me serbë etnikë.

“Është e rëndësishme të vazhdohet dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, por është edhe më e rëndësishme që ai të sjellë rezultate. Topi është më shumë në duart e Prishtinës në këtë pikë. Prishtina duhet të zhbllokojë procesin që do të çojë në themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, si dhe të bashkëpunojë për gjetjen e një zgjidhjeje praktike, në mënyrë që të mbahen zgjedhje të reja në veri të Kosovës”.

Në dritën e “fërshëllimës” së zgjerimit të BE-së deri në vitin 2030, eurodeputeti demokrat ka theksuar se ky është një sinjal se BE-ja është e gatshme dhe e përkushtuar për zgjerimin e ardhshëm, porse Kosova dhe posaçërisht Serbia duhet të fokusohen në zbatimin e reformave dhe vazhdimin e procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

“Prandaj, në vend që të diskutoj për data konkrete për momentin, do të fokusohesha në zbatimin e reformave, vazhdimin e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, si dhe në harmonizimin me BE-në në të gjitha segmentet, përfshirë edhe marrëdhëniet e jashtme”, ka thënë Bilçiku.

Raundi i ri i “negociatave të vështira” diplomatike nën patronazhin e BE-së nuk ka arritur t’i përmbushë pritshmëritë në aspektimin e krijimit të atmosferës së normalizimit të marrëdhënieve, pajtimit dhe zbatimit të shpejtë të angazhimeve që palët kanë marrë përsipër veçanërisht në fund të shkurtit në Bruksel dhe më pas në mes marsit në Ohër.

Qeverisë së Kosovës po i kërkohet që të fillojë urgjentisht zbatimin e nenit shtatë të Marrëveshjese Bazë për normalizmin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, me të cilën parashihet një “nivel i përshatshëm i vetëmenaxhimit/vetëqeverisjes” për komunitetin serb në Kosovë që përbën shumicën në pjesën veriore të Kosovës.

Nga bashkësia e organizuar ndërkombëtare e përshkruajnë këtë një “detyrë urgjente” dhe një ndër “hapat ekzistencial” për aspiratat euro-atlantike të Kosovës, ndërsa gjithnjë e më shumë pritet hartimi i një draft-statuti nga Qeveria e Kosovës që do t’i hapte rrugë themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë apo “instrumentit vetëmenaxhues” për serbët e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore