Lajme

Bie vlera e Trustit për 160 milionë euro


Në kohën kur tërheqja e parave nga Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës është sërish në diskutim, vlera e këtij fondi është më e vogël për disa miliona euro.

Shuma e tij arrin në gati 2.3 miliardë euro, por, aktualisht, është më e vogël për më shumë se 160 milionë euro.

Sipas Bankës Qendrore të Kosovës, rënia në vlerë ka ndodhur gjatë muajve të fundit, për shkak të zhvillimeve gjeopolitike, përfshirë luftën në Ukrainë, krizën energjetike dhe inflacionin dyshifror. Të gjitha këto kanë shkaktuar çrregullime në tregjet ndërkombëtare.

“Sfidat e performancës së sektorit pensional të Kosovës janë shtuar theksueshëm për vitin 2022”, thuhet në një raport të BQK-së, të publikuar pak javë më parë, shkruan REL.

Të gjithë të punësuarit në Kosovë janë të obliguar të paguajnë 10 për qind kontribute pensionale nga paga e tyre: 5 për qind i paguan punëdhënësi, kurse 5 për qind ndahen nga paga e të punësuarit.

Zëdhënësi i Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, Jeton Demi, thotë se lëvizjet e fundit në tregjet financiare nuk do t’i prekin personat që janë afër pensionimit.

“Mjetet e dedikuara për kontribuuesit e moshës 63-vjeçare e gjysmë janë të investuara në letrat me vlerë të Kosovës, që kanë interes të paracaktuar. Për këtë vit, kishte kthim pozitiv nga investimet – afro 2 për qind”, thotë Demi

Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës nuk e konsideron humbje rënien aktuale të investimeve, duke shprehur bindjen se ajo do të rikuperohet, përkatësisht rritet, në të ardhmen.

Tash e sa muaj, kërkesë e opozitës në Kosovë është t’u mundësohet qytetarëve të tërheqin deri në 30 për qind të mjeteve nga Fondi, për të përballuar, siç thuhet, më lehtë inflacionin në rritje.

Projektligji që do ta mundësonte këtë, ka dalë në votim në Kuvendin e Kosovës në muajin qershor, por është refuzuar nga partia në pushtet – Lëvizja Vetëvendosje – me arsyetimin se “do të shkatërronte strukturën pensionale të shtetit”.

Javën e kaluar, Kryesia e Kuvendit të Kosovës vendosi ta dërgojë në Qeveri për mendim këtë projektligj, bazuar në një peticion të nënshkruar nga më shumë se 20 mijë qytetarë të Kosovës, i cili i është dorëzuar Kuvendit më 15 korrik.

Qeveria kundër tërheqjes së parave të Trustit, Kurti: S’e zgjidh problemin e qytetarëve

 

Në anën tjetër Partia Demokratike e Kosovës  – si partia më e madhe opozitare ka propozuar tërheqjen deri në 30 për qind të kursimeve pensionale.

Deputeti i kësaj partie, Bekim Haxhiu, në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së më 9 mars pati dorëzuar në Kuvend Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Fondin e Kursimeve Pensionale, i cili do të mundësonte tërheqjen e këtyre mjeteve.

Sipas propozimit të PDK-së, kontributpaguesit që kanë më pak se 10 mijë euro kursime pensionale kërkohet që të kenë të drejtën e tërheqjes së 30 për qind të mjeteve.

Ata që kanë deri 20 mijë euro – 25 për qind, nga 20 mijë deri 30 mijë – 20 për qind.

Për kontributpaguesit që kanë kursime pensionale në shumën prej 30 mijë eurosh – 15 për qind dhe ata mbi 40 mijë euro – 10 për qind të shumës.

Por, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pati potencuar se që tërheqja e parave nga Trusti nuk e zgjidh problemin e qytetarëve.

“Kemi thënë edhe më herët edhe si opozitë në 2020, edhe 2021 në qeveri me Pakon e Ringjalljes Ekonomike e zbusim krizën, mirëpo nuk konsiderojmë që duke marrë nga pleqëria individuale e punëtorëve të tanishëm do të mund ta zgjedhim problemin”, kishte theksuar Kurti.

Edhe dy ekspertë të FMN-së e kanë dhënë vlerësimin se një zgjidhje e tillë nuk është zgjidhje.

Një tërheqje e ngjashme deri në 10 për qind është bërë në vitin 2020, pas përkeqësimit të gjendjes financiare të familjeve, për shkak të pandemisë COVID-19.

Nga Trusti ishin tërhequr afro 200 milionë euro nga mbi 420 mijë kontributpagues. Tërheqja ishte bërë pas miratimit të Ligjit për rimëkëmbjen ekonomike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore