Lajme

Biden-Xi – SHBA-të kundër Kinës, krah Tajvanit


Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden, ia ka thënë në sy – virtualisht – homologut të tij kinez, Xi Jinping, se SHBA-të janë thelbësisht kundër përpjekjes së Pekinit zyrtar për të ndryshuar status quo-në dhe për të rrezikuar paqen në Tajvan.

Biseda mes tyre u zhvillua në samitin e parë virtual mes dy krerëve të shteteve superfuqi botërore.

Biden dhe Xi, diskutuan po ashtu edhe mbi çështje kontroverse, si për shembull sjellja e Kinës në rajonin e Xinjiang apo në Hong Kong. Këto probleme janë edhe ndër më thelbësoret, të cilat janë diskutuar prej ardhjes së Biden në Shtëpinë e Bardhë.

Nga ana tjetër, Xi, i bëri të qartë presidentit amerikan se mbështetja e pavarësisë së Tajvanit, ishte si “të luaje me zjarr”. Dhe, për të, ata të cilët luajnë me zjarr, digjen!

Gjithsesi, nga ana e administratës amerikane, u bë e qartë se politika që ata ndjekin, është ajo e “një Kine”.

“Kundërshtojmë forcërisht përpjekjet unilaterale për të ndryshuar apo minurar paqen në Tajvan”, përsëriti Biden disa herë gjatë takimit online.

Nën politikën e “një Kine”, SHBA-të mbajnë raporte zyrtare vetëm me Kinën dhe jo me ishullin e Tajvanit. Këtë aspekt, kinezët e shohin si një hapësirë për t’u bashkuar me vendin ishullor pas dekadash shkëputje.

Mirëpo, SHBA-të, aderojnë edhe në aktin e raporteve tajvaneze, ku ata zotohen se në rast sulmi nga kinezët, duhet t’i ndihmojnë tajvanezët.

Për këtë çështje, Biden ka thënë muajin e shkuar se janë gati për ndërhyrje ushtarake nëse është e nevojshme. Disa avionë kinezë kanë hyrë kohët e fundit në hapësirën ajrore të Tajvanit.

Incidente të rënda ende nuk ka, por frika mbetet për destabilitet në detin e Kinës Jugore.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore