Lajme

Biden vjen në Evropë këtë javë, por nuk e viziton Ukrainën


Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden, do të zhvillojë një vizitë të papritur gjatë ditës së premte, ku do të marrë rrugën drejt shtetit kufitar me Ukrainën, Polonisë, për të biseduar me homologun e tij Andrzej Duda, i cili ka qenë edhe një ndër liderët perëndimorë të gjendur më pranë popullit ukrainas në ditët e pas-sulmit rus.

Vetëm Polonia, ka marrë deri tani mbi 2 milionë refugjatë ukrainas, të cilët i janë larguar luftës dhe kanë braktisur vendin.

Thelbi i bisedimeve do të jetë pikërisht aksioni humanitar për të ndihmuar ukrainasit dhe përgjigja ndaj agresionit rus.

Në njoftimin zyrtar për shtyp nga Shtëpia e Bardhë, cilësohet se Biden, do të udhëtojë drejt Polonisë për të rakorduar punën e partnerëve ndërkombëtarë dhe aleatëve të NATO-s ndaj krizës që po shkaktohet jo vetëm në Evropën Lindore por në gjithë kontinentin e vjetër.

Gjatë të hënës ndërkaq, pritet një telefonatë e përbashkët mes Biden-it, homologut të tij francez, Emmanuel Macron dhe tre kryeministrave, atij britanik, Boris Johnson, atij gjerman, Olaf Scholz dhe atij italian, Mario Draghi.

Po ashtu, gjatë të mërkurës, Biden pritet të shkojë në Bruksel, për të marrë pjesë në Samitin e NATO-s si edhe në takimin e vendeve të G7-ës.

Plan për të udhëtuar në Ukrainë gjithsesi, ende nuk ka.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore