Lajme

Biden transferon për herë të parë të burgosurin e Guantanamos


Prej gjashtë muajsh ai është në krye të presidencës më të fuqishme në botë, atë amerikane, dhe administrata e tij ka marrë një vendim – për herë të parë në histori.

Joe Biden ka dhënë dritën jeshile për të transferuar një të burgosur të Guantanamos, në shtetin e tij të lindjes.

Abdul Latif Nasir, u kthye në Marok, pasi nuk paraqiste më rrezik për sigurinë kombëtare të SHBA-ve. Kështu ka argumentuar mbi vendimin Departamenti i Mbrojtjes në SHBA.

Ndër të tjera, Rabat-i zyrtar, i pati garantuar Washington-it se Nasir do të trajtohej “njerëzisht”. Kështu, duke siguruar edhe respektimin e çdo procedure të sigurisë në burgje.

Pentagoni gjithsesi, nuk e bëri plotësisht me dije nëse do të lirohej më pas apo do të qëndronte në masa sigurie.

Me ikjen e Nasir, Guantanamo ka tashmë vetëm 39 të burgosur të mbetur. Kampi u hap pas ngjarjeve terroriste të 11 shtatorit në New York. Ish-presidenti republikan i SHBA-ve, George W. Bush, kreu këtë lëvizje për të vënë nën masa sigurie të dyshuarit për lidhje me terrorizmin.

Pasuesi i Bush-it, Obama, tentoi ta mbyllte tërësisht kampin. Mirëpo, ai dështoi në Kongres, pas një opozite të fortë me qëndrimin.

Ndërkohë, Donald Trump, vijoi me linjën republikane të mbajtjes së kampit hapur. Kjo, me argumentin se ende vijon të ketë rreziqe sigurie kombëtare në SHBA.

Tashmë, Joe Biden, është presidenti i radhës në vorbullën e Guantanamos. Biden kërkon të vijojë përpjekjet për mbylljen e kampit. Gjithsesi, nuk dihen hapat pasues që ai do të ndjekë.

Por, ky i transferimit të Nasir, është sigurisht një hap i parë mbi këtë qasje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore