Lajme

Biden parashikon arrestime të grave që do udhëtojnë për të abortuar


Presidenti amerikan Joe Biden sugjeron se disa shtete në Shtetet e Bashkuara do të arrestojnë gratë për kalimin e kufijve shtetërorë.

Kjo, për të kryer një abort pasi Gjykata e Lartë rrëzoi të drejtën kushtetuese për procedurë në mbarë vendin.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia “Reuters”.

Trembëdhjetë shtete të udhëhequra nga republikanët kanë ndaluar ose kufizuar rëndë abortin pasi një gjykatë përmbysi çështjen e vitit 1973 Roe kundër Wade javën e kaluar.

Gratë nga këto shtete që dëshirojnë të bëjnë një abort mund të duhet të udhëtojnë në shtetet ku ai mbetet i ligjshëm.

Në një takim virtual me guvernatorët demokratë, Biden u shpreh se mendonte që “njerëzit do të tronditen kur shteti i parë do të përpiqet të arrestojë një grua për kalimin e kufijve për kujdes mjekësor”.

Ai shtoi se megjithëse jo të gjithë besojnë se kjo mund të ndodhë, kur të ndodhë arrestimi i parë, do të dërgojë një sinjal për të gjithë vendin se ky vendim i diskutueshëm prek të drejtat themelore të njerëzve.

Biden nënvizoi gjithashtu se qeveria federale do të bëjë gjithçka për të mbrojtur gratë që duhet të kalojnë kufijtë shtetërorë për të kryer një abort dhe për të siguruar që ato të kenë akses në barna në shtetet ku është e paligjshme.

Më 24 qershor, Gjykata e Lartë e SHBA-së rrëzoi një vendim që u jepte grave të drejtën kushtetuese për të kryer një abort.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore