Rajoni

Biden nikoqir i von der Leyen, temë diskutimi Ballkani Perëndimor


Ursula von der Leyen dhe Joe Biden

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, këtë të mërkurë në Shtëpinë e Bardhë do e mirëpret Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ku ndër temat që këta dy do diskutojnë do jetë edhe Ballkani Perëndimor.

Biden dhe von der Leyen, gjatë takimit do prekin edhe temat mbi marrëdhëniet tregtare në mes të SHBA-ve dhe BE-së si dhe çështjen e ngrohjes globale.

Takimi në Uashington vjen menjëherë pasi Biden dhe von der Leyen, u takuan gjatë mbledhjes së G20 të liderëve botërorë në Romë dhe konferencës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara për klimën në Glasgow, shkruan Reuters.

Biden, ka kërkuar të forcojë lidhjet me Evropën pasi paraardhësi i tij Donald Trump, refuzoi aleatët historik dhe institucionet gjatë kohës së tij në detyrë.

“Presidenti Biden do të riafirmojë mbështetjen e tij për Bashkimin Evropian si një partner themelor për Shtetet e Bashkuara”, tha në një deklaratë zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Emily Horne.

Marrëdhëniet transatlantike janë përmirësuar nën patronazhin e Biden, pasi SHBA-të dhe BE  kanë zgjidhur dy mosmarrëveshje të mëdha tregtare mbi subvencionet e avionëve dhe prodhimin e çelikut, kështu duke u bashkuar në luftën ekonomike kundër Kinës.

Biden dhe von der Leyen pritet të diskutojnë edhe rritjet e çmimeve të energjisë që ka nxitur shqetësimet për inflacionin, duke thelluar diskutimet e nisura gjatë G20.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore