Biden këshillon amerikanët që të largohen nga Ukraina

SHFLETO
albanianpost
07.02.2022 22:54
Loading Icons...

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, këshillon amerikanët që të largohen nga Ukraina.

Kreu i presidencës amerikane përmendi si arsye rrezikun e dhunës në rastin e një pushtimi rus.

“Unë mendoj se do të ishte e mençur të largoheshin nga vendi”, tha Biden, duke sqaruar se nuk i referohej stafit diplomatik të SHBA-ve.

Kjo deklaratë e presidentit amerikan erdhi gjatë një konference të përbashkët me kancelarin gjerman, Olaf Scholz.

Në vijim të fjalës së tij, Biden shtoi se do e urrente nëse shtetasit amerikanë do kapeshin në një shkëmbim zjarri mes palëve.

“Nëse do të kisha dikë atje, do t’i thoja të largohej”, nënvizoi shefi i Shtëpisë së Bardhë.

Komentet e Biden vijnë pasi zyrtarët amerikanë kanë paralajmëruar për javë të tëra për kërcënimin e një pushtimi rus në Ukrainë.

Kjo, pasi Moska ka grumbulluar më shumë se 100 mijë trupa ushtarake dhe furnizime në kufi.

SHBA po përgatit sanksione të ashpra ekonomike që zyrtarët thonë se do të shkaktohen nga një pushtim i ri rus.

Javën e kaluar, Biden autorizoi gjithashtu vendosjen e 3 mijë trupave në Evropën Lindore.

Takimi midis Biden dhe Scholz vjen në një kohë ku Perëndimi po përpiqet të demonstrojë një front të bashkuar.