Aplikacione

Biden-i shfuqizon urdhrin e Trump-it për aplikacionet kineze


Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka revokuar një urdhër ekzekutiv të paraardhësit të tij, Donald Trump, që ndalon në SHBA aplikacionet kineze, TikTok dhe WeChat.

Agjencia e lajmeve, BBC, tregon se ndalimi u përball me një sërë sfidash ligjore dhe kurrë nuk hyri në fuqi.

Në vend të kësaj, Departamenti i Tregtisë i SHBA do të rishikojë aplikacionet e krijuara dhe të zhvilluara nga ata që janë në “juridiksionin e një kundërshtari të huaj”, siç është Kina.

Biden  është shprehur se departamenti duhet të përdorë një “qasje të bazuar në prova” për të parë nëse ato paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare të SHBA-së.

Në vitin 2020, Trump-i urdhëroi ndalimin e shkarkimeve të reja të aplikacionit viral të videove të quajtur TikTok, i cili është në pronësi të firmës kineze, Bytedance.

Asokohe, ish presidenti amerikan e përshkroi atë si një kërcënim për sigurinë kombëtare.

Madje, doli në pah një propozim që do të bënte Oracle-in dhe Walmart-in zotërues të një njësie amerikane të shërbimit. Gjithashtu të merrnin përgjegjësinë për trajtimin e të dhënave të përdoruesve të TikTok-ut dhe moderimin e përmbajtjes.

Mirëpo, fakti që Trump-i do të largohej menjëherë nga detyra pas kësaj dhe seria e sfidave ligjore që pasuan, bënë që as ndalimi dhe as përfshirja e kompanive amerikane të mos realizoheshin.

Mbledhja e të dhënave

Përmes urdhrit të ri ekzekutiv, Biden-i ka deklaruar se qeveria federale duhet të vlerësojë kërcënimet e paraqitura nga aplikacionet dhe software-ët me bazë në Kinë.

Kjo nëpërmjet “analizave rigoroze, të bazuara në prova” dhe se duhet të adresojë “çdo rrezik të papranueshëm ose të padrejtë në përputhje me sigurinë e përgjithshme kombëtare, politikën e jashtme, dhe objektivat ekonomike”.

Gjithashtu Biden-i ka pranuar që aplikacionet mund të “përdorin dhe kapin informacione të mëdha nga përdoruesit”.

“Ky koleksion i të dhënave kërcënon t’u sigurojë kundërshtarëve të huaj mundësinë e përdorimit të këtij informacioni”, ka pohuar ai.

Për sa i përket platformës, TikTok-u përdoret nga afro 80 milionë amerikanë çdo muaj.

Ashley Gorski, një avokate në Unionin Amerikan të Lirive Civile (ACLU), e ka mirëpritur vendimin për të përmbysur ndalimin.

“Presidenti Biden ka të drejtë të revokojë këto urdhra ekzekutivë të administratës Trump, të cilat shkelën haptazi të drejtat e Ndryshimit të Parë të përdoruesve të TikTok-ut dhe WeChat-it në Shtetet e Bashkuara,”, ka thënë ajo.

Gorski ka vijuar se “rishikimi i Departamentit të Tregtisë për këto dhe aplikacione të tjera nuk duhet të na çojë në të njëjtën rrugë të gabuar, duke shërbyer si një maskim për ndalimet në të ardhmen ose veprime të tjera të paligjshme”.

Presidenti Biden, gjatë javës së ardhshme, pritet të takojë presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Pritet që prej tyre të njoftohet një partneritet rreth teknologjisë dhe tregtisë. Kjo si një përpjekje për të zmbrapsur rritjen e Kinës si një superfuqi e teknologjisë.

BBC shkruan se ka gjasa që partneriteti të përfshijë standarde të përbashkëta rreth teknologjive në zhvillim, si dhe angazhime për të ndërmarrë një veprim më të fortë policimi të internetit.

Por, edhe për të vepruar në lidhje me çështjet kritike të zinxhirit të furnizimit që kanë lindur gjatë pandemisë së Covid-19.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore