Lajme

Biden: Dhuna nga armët, epidemi


Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Joe Biden, ka prezantuar një numër masash të reja, synimi i të cilave është zgjidhja e problemit të dhunës së armëve në Shtetet e Bashkuara.

Sipas tij, dhuna nga armët është “epidemi”, e cila duhet të ndalet.

Ndalimi i “armëve fantazmë”, të cilat nuk kanë numër serial (çka bën të vështirë gjetjen e autorëve të krimeve), është një ndër propozimet.

Departamenti i Drejtësisë po prezanton amerikanët edhe me një shembull të ashtuquajtur “ligje paralajmëruese”.

Ato u japin mundësi anëtarëve të familjes dhe forcave të rendit t’i kërkojnë gjykatës të ndalojë blerje apo zotërim armësh për një individ të konsideruar si rrezik për veten apo të tjerët.

Përpjekjet e reja përfshijnë edhe hartimin e një raporti vjetor mbi trafikun e armëve të zjarrit, si dhe një seri masash për të parandaluar dhunën në shkallë komuniteti.

Pas masakrave të fundit në Shtetet e Bashkuara, presioni për të forcuar masat kundër dhunës së armëve u shtua.

Megjithatë, presidenti do të ketë një detyrë të vështirë. E drejta për të mbajtur armë mbrohet nga Amendamenti i Dytë i Kushtetutës së SHBA dhe shumë njerëz i shohin ligjet e kontrollit të armëve si shkelje të së drejtës kushtetuese.

Presidenti shtoi se asnjë nga veprimet e tij mbi kontrollin e armëve në vend nuk shkel Amendamentin e dytë të Kushtetutës amerikane.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore