Lajme

Betohen kryetarët e tri komunave veriore


Tashmë janë betuar kryetarit e rinj të Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit – komuna të banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Ilir Peci, pasi është betuar si kryetar i ri i Komunës së Zveçanit, ka thënë se do t’i ushtrojë kompetencat e mia si kryetar i komunës së Zveçanit me nder, besnikëri, në mënyrë të paanshme, me ndërgjegje dhe në pajtim me ligjin në mënyrë që t’i sigurojmë kushtet për një jetë të qetë”.

Peci, pas ceremonisë së betimit ka konfirmuar të enjten se do ta ushtrojë detyrën si udhëheqës i Komunës nga objekti i zyrës së komuniteteve që gjendet në fshatin Lipë.

“Detyrën do ta ushtroj nga zyra e komuniteteve në fshatin Lipë. Nuk është çështje që varet prej meje se kur do të kthehemi në objektin komunal. Qeveria qysh vendos, ne bëjmë”, ka thënë ai.

Ilir Peci betohet si kryetar i ri i Zveçanit

Ndërsa kryetari i ri i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, pas betimit potencoi se “tani e tutje, të jemi në nivel të përgjegjësisë më të lartë, duke ua ofruar qytetarëve të Komunës së Zubin Potokut, pa asnjë dallim, të gjitha shërbimet”.

“Do të shkojmë në komunë të Zubin Potokut. Të gjitha objektet që u takojnë qytetarëve dhe komunës, do të jenë në posedim të të gjitha dikastereve të drejtuara nga kabineti [i komunës]”, theksoi Zeqiri.

Edhe kryetari i ri i Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi është betuar në një zyrë lokale në fshatin Bistricë këtë të enjte.

Ndërsa të mërkurën, ministri i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës ka nënvizuar faktin se kryetarët e rinj të zgjedhur në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit do të ushtrojnë mandatin e tyre kushtetues dhe ligjor në Komunën ku janë zgjedhur.

Krasniqi garanton: Kryetarët e rinj do të ushtrojnë mandatin në Komunat ku janë zgjedhur  

“Ata do të jenë në shërbim të qytetarëve, Ligji për Vetëqeverisjen Lokale parasheh secilin detaj, prandaj kryetarët do të punojnë në Komunën ku janë zgjedhur”, ka thënë Krasniqi fillimisht.

Pse u mbajtën zgjedhjet në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës më 23 prill?

Më 5 nëntor të vitit 2022, Lista Serbe kishte vendosur që pjestarët e saj të largohen nga institucionet e Kosovës.

Pas një takimi të zhvilluar në Zveçan, serbët thanë se nuk do të kthehen në institucionet e Kosovës deri në momentin kur Qeveria e Kosovës tërheq vendimin për targat dhe fillon formimin e Asociacionit për komunat me shumicë serbe.

Kryetari i Listës Serbe dhe njëherit ministri për Komunitete the Kthim, Goran Rakiç, kishte dhënë dorëheqje nga pozita të cilën e ka drejtuar pak më shumë se një vjet e gjysmë.

Edhe Igor Simiç, i cili ishte deputet nga radhët e Listës Serbe kishte dhënë dorëheqje nga kjo pozitë.

Serbët e punësuar në institucione të gjyqësorit dhe policisë janë larguar po ashtu.

Në këtë valë dorëheqjes, ishin edhe katër kryetarët e katër komunave me shumicë serbe.

Zubin Potokut Srdjan Vuloviç, kryetari i Zubin Potokut, Dragisha Miloviç, kryetari i  Zveçanit, Zoran Todiç, kryetari i Leposaviqit dhe Milan Radojeviç, kryetar i Mitrovicës së Veriut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore