Lajme

Besnik Sallahu caktohet zyrtar ndërlidhës i Kosovës në EUROPOL


Besnik Sallhu është caktuar nga policia e Kosovës si zyrtar ndërlidhës në EUROPOL. Sipas njoftimit për media, Policia në vazhdën e avancimit dhe rritjes së mëtejme të kapaciteteve në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar policor, konkretisht të bashkëpunimit me EUROPOL-in, tani më ka dërguar zyrtarin e parë ndërlidhës në EUROPOL, i cili ditë më parë ka filluar zyrtarisht detyrën.

“Qëllimi primar i policisë vazhdon të mbetet avancimi i mëtejmë i bashkëpunimit të drejtpërdrejtë me EUROPOL-in , bashkëpunim ky i cili ndihmon dhe ndikon në lehtësimin e komunikimit dhe krijimit të një partneriteti të drejtpërdrejtë, duke përfshirë edhe koordinimin e aktiviteteve të përbashkëta ndërmjet EUROPOL-it dhe institucioneve të zbatimit të ligjit, në angazhimin e vazhdueshëm të luftës së përbashkët kundër terrorizmit, krimit të organizuar dhe të gjitha formave tjera të krimit”, thuhet në njoftim.

EUROPOL ngre dhe koordinon operacionet ndërkufitare kundër grupeve kriminale më të rrezikshme në BE. Lehtëson komunikimin e drejtpërdrejtë midis hetuesve nga autoritetet kombëtare të zbatimit të ligjit.

Analistët dhe ekspertët EUROPOL-it mbështesin hetuesit në kohë reale dhe shpesh në vend, ndërsa marrin pjesë aktive në operacione komplekse. Me fjalë të tjera, i bëjnë hetimet ndërkufitare më efikase.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore