Shqipëria

Besimtarët katolikë përgatiten për kremtimin e Pashkës


4 prilli 2021 është dita e Pashkës së Madhe. Sipas Besëlidhjes së Re, është kremtimi i ringjalljes së Krishtit tri ditë pas kryqëzimit të tij.

Një ditë para Pashkëve, besimtarët katolikë në Tiranë i janë drejtuar Katedrales së Shën Palit, për të kryer ritualin e përvitshëm: bekimin e ushqimit të tyre. Tradita e bekimit të ushqimeve do të thotë mbarësi për jetën.

Ky është i dyti vit, në fakt, që Pashkët festohen në kushte pandemie. Qytetarët shprehen se për ta, kjo festë është shumë e rëndësishme, pasi simbolizon ringjalljen e shpresës, sidomos në kushtet e coronavirus-it.

Ata urojnë për shumë vjet gëzuar Pashkët, shëndet dhe jetë në këto ditë të këqija! Gjithashtu, shprehen se të gjithë duhet të tregohen sa më të kujdesshëm.

Sipas drejtuesve të Katedrales, mesha ndryshe nga vitet e tjera, do të mbahet në orën 17:00, për arsye të masave të ndalimit të përhapjes së Covid-19.

“Besimtarët duhet të jenë të pajisur me maska, si dhe të ruajnë distancën sociale, sipas udhëzimeve të Komitetit Teknik të Ekspertëve”, u shpreh sekretarja e Ipeshkvit.

Java e Pashkëve për të gjithë besimtarët katolikë quhet Java e Shenjtë. Përmban tre ditët e mëdhaja, ku përfshihet e enjtja e shenjtë, që përkujton darkën e fundit; e Premtja e Shenjtë, që përkujton kryqëzimin dhe vdekjen e Jezus Krishtit, dhe e Diela e Madhe.

Pashka (ose Pashkët), shënjojnë kremtimin më të madh të kalendarit liturgjik të Kishës Katolike dhe kishave të tjera, të cilat kremtojnë ringjalljen e Jezusit.

Festa e Pashkëve të krishtera është e lëvizshme, për shkak se zhvendoset çdo vit të dielën pasuese, të parën hënë të plotë pas ekuinoksit të pranverës, më 21 mars, pra data e Pashkëve është përfshirë mes 22 marsit dhe 25 prillit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore