Jetesë & Stil

Besa Kokëdhima: Nëse Dua Lipa do të jetonte në Shqipëri nuk do të pritej me lëvdata dhe do të kishte zero përfitime nga muzika


Besa Kokëdhima, Dua Lipa

Vizita në Shqipëri e këngëtares nga Kosova me famë botërore, Dua Lipa, ka ngjallur reagime të ndryshme në rrjetet sociale, shumica prej të cilave pozitive, por që kishte edhe nga ato që takimin e Lipës me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliajn dhe kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, e kanë quajtur “propagandë të drejtuesve të shtetit”.

Madje, rreth mikëpritjes që ju bë Duas gjatë vizitës në trojet shqiptare ka reaguar e revoltuar edhe këngëtarja e njohur, Besa Kokëdhima, e cila përmes një postimi në Instagram, tha se “nëse Dua Lipa do të jetonte në Shqipëri, as nuk do të vlerësohej e as nuk do të pritej me lëvdata”.

“Dua Lipa është një yll! Por Dua u bë edhe në një shtet e treg prej vërteti. Nuk do kish as pritje me lëvdata, kortëzia e tapete po të kish qenë në Shqipëri, pa të drejta autori, pa priortarizmin e mbëshjetje për artin, në kushtet mjerane që e kanë katandisur artin dhe artistët shqiptarë”, ka shkruar Besa.

Tutje, Kokëdhima, ka thënë se – “nëse Dua Lipa, do të ishte në Shqipëri, ajo do të fitonte zero të ardhura ekonomike”.

“Po të kish qenë Dua në Shqipëri, muzikën e saj do e qanin jo komerciale, nga përdorimi i muzikës së saj do përfitonte 0 të ardhura, do bazohej jetesa e saj artistike mbi evente sporadike në club apo përdorimit nga politikanët në prag fushatash apo nevoja inaugurimesh”, ka shtuar ajo.

Pas disa orësh pritje, Besa, ka publikuar edhe një fotografi me mbishkrim tjetër, teksa ka sqaruar se Dua Lipa është artistja e saj e  preferuar, ndërsa ka thënë të mos krijohen keqkuptime dhe ka shprehur “jo interesimin e saj për nderime nga Qeveria”.

“Për të gjithë partixhinjtë e Shqipërisë, ju sqaroj se Dua është artistja ime e preferuar. Arsyeja e vetme pse ju djeg është sepse preken ata që doni dhe gjithçka që kam shkruar ju e dini që është e vërtetë”.

Storie të publikuara nga Besa Kokëdhima në Facebook.“Se mos ngatërroheni se po flas për vete, nuk dua asnjë nderim. Dua thjesht një kategori të tërë krijuesish e performuesish të kenë mundësinë të jetojnë me punën dhe djersën e tyre pa u bërë lecka dhe pa u nënçmuar e pa vdekur me një pension qesharak”, ka përfunduar ajo.

Ndryshe, të premten e 23 korrikut, Dua zhvilloi takime me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, si dhe me kryetarin e Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj.

Këngëtarja me famë botërore, u mësua se është përfshirë në projektin e rindërtimit të kopshteve, pas dëmeve që shkaktoi tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Në një konferencë për shtyp ndërkohë, Dua foli për projektet e saj muzikore. Po ashtu, edhe për angazhimin aktiv për të rritur imazhin e Shqipërisë në botë.

“Kam dëshirë të bëj një këngë shqip. Nuk e di nëse jam e aftë të shkruaj shqip. Por, dëshira është e madhe”, iu përgjigj ajo interesit të Albanian Post mbi projektet muzikore.

Ndërsa, mbi të qenit një ambasadore e Shqipërisë në Botë, ajo shprehu veçse krenari mbi origjinën e saj.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore