Kosova

Bërnabiç: Qëndrimi i Kurtit për bashkimin me Shqipërinë mund të destabilizojë rajonin


Ana Bërnabiç dhe Albin Kurti

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç, ka reaguar ndaj deklaratës së homologut të saj kosovar, Albin Kurti, se ky i fundit do të votonte pro bashkimit me Shqipërinë, duke thënë se ky qëndrim mund të destabilizojë seriozisht të gjithë rajonin.

“Deklarata e Kurtit është vetëm një gur tjetër në minimin e themeleve të stabilitetit rajonal dhe sigurisë rajonale. Deklarata mund të shkaktojë trazira të mëdha në të gjithë rajonin. Politika e tij është e qartë, të cilën ai duket se nuk e fsheh”, ka thënë Bërnabiç, raporton agjencia e lajmeve serbe Tanjug.

Bërnabiç, ka kritikuar edhe mungesën e reagimit të komunitetit ndërkombëtar në lidhje me këtë deklaratë, sidomos reagimin e eurodeputetes Viola von Cramon.

“Cramon kritikon çdo gjë në ndodh në Serbi që nga të drejtat e punëtorëve vietnamezë e deri tek sundimi i ligjit, minierat e litiumit në Serbi, klimën e investimeve në Serbi, në vend që të merret me deklaratën e Kurtit në Kosovë”, ka shtuar Bërnabiç.

E pyetur nëse është e mundur që një skenar i tillë të ndodhë në të ardhmen, Bërnabiç është përgjigjur se dyshon, por sipas saj është e nevojshme që e gjithë komuniteti ndërkombëtarë të thotë se një gjë e tillë është e pamundur.

“Varet se si do të reagojë komuniteti ndërkombëtar ndaj kësaj, por kjo do të nënkuptonte pasoja shumë më të gjera për të gjithë rajonin, por edhe më gjerë”, ka përfunduar ajo.

Lista Serbe

Qëndrim të njëjtë ndaj deklaratës së kryeqeveritarit Kurti, ka pasur edhe Lista Serbe, pasi sipas tyre Kurti me këtë deklaratë ka treguar fytyrën e tij të vërtet, dhe se deklaratat e tilla anti-evropiane rrezikojnë paqen dhe qetësinë e qytetarëve.

“Ne pyesim veten se çfarë tjetër duhet të ndodhë që Bashkimi Evropian, por edhe vendet e shquara të Evropës Perëndimore, të reagojnë ndaj deklaratave të tilla anti-evropiane që rrezikojnë drejtpërdrejt paqen dhe qetësinë e qytetarëve”, thuhet në komunikatën e tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore