Lajme

Bërnabiç: “NATO dhe KFOR-i me urgjencë ta frenojnë Albin Kurtin”


Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç, ka reaguar pas aksionit policor në nivel vendi, ku u përfshinë edhe Komuna e Mitrovicës së Veriut dhe Zveçanit, duke e quajtur “aksion të çmendur të Albin Kurtit”.

“I bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar, NATO-s dhe KFOR-it të reagojnë me urgjencë dhe ta frenojnë Albin Kurtin”, tha ajo.

“Situata është shumë më shumë se dramatike dhe ky është momenti i fundit ku duhet të ketë reagim të domosdoshëm t’i ndaloj këto veprime të çmendura të Prishtinës”, tha ndër të tjera Bërnabiç.

Ndërkaq tha edhe se veprime të këtilla po na afrojnë “buzë kaosit”.

Drejtori i Zyrës së ashtuquajtur për Kosovën në Serbi, Petar Petkoviç, në një adresim për media pas intervenimit të Policisë së Kosovës në nivel vendi kundër kontrabandës dhe krimit të organizuar, të cilën e ka cilësuar si “egërsi të Albin Kurti”.

“Kjo është hera e shtatë që njësia speciale e Kosovës e pushton Veriun dhe përplaset me popullit të pa-armatosur serb”.

Arsyeja e këtij aksioni, sipas Petkoviçit, “janë qëllimet e një psikopati si Albin Kurti për të prodhuar konflikte të shkallës së gjerë”.

“A ndodh që për disa pako të lëngjeve dhe çokoladave të kontrabanduara Njësia Speciale të pushtojë veriun me automjete të blinduara, dhe të krijojë gati se gjendje lufte”, deklaroi Petkoviç.

“Njerëzit tanë u mblodhën në Zveçan dhe arritën të zmbrapsin ROSU-n, ku ata thyen depot, shtëpitë private”, tha ndër të tjera ai.

Ndërsa tha edhe se “i bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar që të ndalojë çmendurinë e Albin Kurtit. Nëse KFOR-i nuk është në gjendje të reagojë dhe ta ruajë popullin serb, ka të tjerë që mund ta bëjnë këtë”.

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka nisur një aksion policor në nivel vendi, në luftë kundër kontrabandës së mallrave.

“Sot në orët e hershme të mëngjesit ka filluar realizimin e një operacioni policor i cili përfshinë disa lokacione të ndryshme, ku bëjnë pjesë katër rajone të Kosovës si Prishtinë, Pejë, Mitrovicë Jugu dhe Mitrovicë Veri”, thuhet në njoftimin e Policisë.

“Të gjitha veprimet policore janë duke u realizuar në koordinim me prokuroritë dhe gjykatat kompetente, me urdhër të së cilave janë duke u kryer kontrolle dhe bastisje në lokacione të ndryshme si shtëpi banimi, lokale biznesi, magazina të mallrave etj”.

Në këtë operacion policor i cili është ende duke vazhduar “janë angazhuar edhe Dogana e Kosovës dhe njësite të profileve të ndryshme policore, të cilat janë në mbështetje dhe përkrahje të këtij operacioni policor”, thuhet në njoftimin e policisë.

“Si rezultat i hetimeve intensive dhe veprimeve profesionale policore dhe të Doganës së Kosovës, deri më tani janë sekuestruar mallra dhe dëshmi të ndryshme të cilat shërbejnë si prova materiale”.

“Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me autoritetet kompetente do të vazhdojë realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saj në nivel vendi, me qëllim të parandalimit të veprimtarive kriminale, parandalimit të kontrabandës së mallrave si dhe shkatërrimit të grupeve kriminale”.

Zyrtarëve policorë dhe doganorë, në ndihmë u kanë dalë edhe njësitet elite të Policisë së Kosovës, të cilat janë parë duke patrulluar nëpër rrugët e lagjes së boshnjakëve.

Policia ka hasur në rezistencë të qytetarëve serbë, të cilat janë grumbulluar në rrugë dhe po kundërshtojnë aksionin e Policisë së Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore