Kosova

Berjani për AP, paralajmëron ulje të çmimeve të derivateve të naftës


Ilustrim.

Në ditët e fundit ndjeshëm ishte rritur edhe çmimi i karburantit, por kryetari i Shoqatës së Naftërëve të Kosovës, Fadil Berjani në një prononcim për Albanian Post deklaroi se ditëve në vijim do të ketë ulje të çmimit të derivateve të naftës deri në 1.40 cent.

Ai ka apeluar që qytetarët të mos krijojnë panik, ndërsa nëse ka dyshime për manipulime me çmime atëherë secili qytetarë t’i drejtohet prokurorisë.

“Këto ditët në vijim s’ka nevojë të pyetet për rritje të çmimit, por për zbritje të çmimit. Çmimet sillen 1.49 dizeli deri në 1.52. Benzina është 1.40. Qytetarët janë duke u shërbyer me çmime të reja ku dihet se në Kosovë piku më i lartë i derivateve ka qenë 1.82 cent ku ka zbritur 1.50. Çmimet janë duke rënë”, tha Berjani për AP.

Tutje bëri të ditur se nuk ka marrëveshje për rritje ose zbritje të derivateve.

“Shumica e kompanive janë duke punuar me humbje shkaku që kanë marrë derivate me çmim shumë të lartë dhe tash duhet të shiten me çmim të ulët. Nuk ka manipulim me çmime. Aty ku ka manipulim ju kisha lutur ti drejtoheni hetuesisë dhe a prokurorisë. Manipulim me çmime nuk duhet të ketë në tregun e Kosovës sepse dihet se sa është gjendja e rëndë ekonomike. Derivatet janë shumë të larta për qytetarët tanë”.

Kryetari i Shoqatës së Naftërëve të Kosovës, Fadil Berjani.

Ndërsa, vetë ai konsideron se nafta është mjaft cilësore si dhe Kosova do të ketë derivate të mjaftueshme.

“Nafta është cilësore në Kosovë sepse barometri kryesor në Kosovë është qytetari. Trendi është duke treguar se do të ikim nga kriza dhe do të ketë derivate të mjaftueshme. Këto i kemi informata nga importuesit më të mëdhenj shqiptar nga Shqipëria. Gradualisht Kosova po ikë nga kriza e derivateve të naftës dhe do të ketë derivate të mjaftueshme. Për momentin trendi është në zbritje”.

Berjani, sqaron edhe pse kanë kundërshtuar vendimin e ekzekutivit.

“Ne kemi kundërshtuar vendimin e Qeverisë për shkak të një gabimi teknik sepse 4 për qind iu ka dhënë importuesit ndërsa pika me pakicë iu ka dhënë 6 për qind. Pikat me pakicë duhet ta kenë 8 për qind mazhën ndërsa importuesit 2 për qind sepse importi kurrë nuk ka fituar më shumë se një cent. Tashmë është 5 cent fitim kjo është mazhë e tepërt për ta kështu që duhet të ndryshohet, por që vendimi i Qeverisë duhet të respektohet”, tha Berjani.

Ndryshe, gjatë muajit maj të vitit 2020 në pikun e pandemisë COVID-19 ishte shënuar një rekord i rënies së çmimit të naftës në Kosovë.

Kështu çmimi i karburanteve gjatë kësaj periudhe kishte rënë deri në 80 cent për një litër karburant.

Në anën tjetër, në Kosovë përveç rritjes së çmimit të naftës, është shtrenjtuar edhe energjia elektrike për konsumatorët që shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë orë, pas vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.

Tarifat e reja kanë filluar të aplikohen nga 9 shkurti dhe do të vazhdojnë deri më 31 mars të vitit 2023.

Ky vendim i ZRRE-së është kundërshtuar ashpër nga partitë opozitare në Kuvend dhe organizatat e shoqërisë civile, të cilat kanë deklaruar se kostoja e faturës për energji elektrike do të jetë e papërballueshme për qytetarët e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore