Berishës nuk i hiqet mandati i deputetit, vendos Konferenca e Kryetarëve

SHFLETO
Rajmonda Basha
26.06.2024 15:09
Loading Icons...

Këtë të mërkurë të 26 qershorit, është mbledhur Konferenca e Kryetarëve ku vendosi për mos heqjen e mandatit të deputetit, Sali Berisha.

Ky i fundit ndodhet në arrest shtëpie.

Sipas kryeparlamentares Lindita Nikolla, mungesa e tij në Kuvend konsiderohet e arsyeshme për sa kohë ai ndodhet me një masë sigurie “arrest shtëpie” kërkuar nga SPAK dhe vendosur nga GJKKO, në të dy shkallët e gjykimit.

“Pas konsultimeve me ekspertë konstitucionalistë, mungesa e Berishës prej 6 muajsh ne Kuvend është me arsye”, mësohet të jetë shprehur Nikolla.

Në vijim, kryeparlamentarja ka deklaruar se qenia e një personi nën këtë mase nuk mund të konsiderohet si mungese pa arsye në Kuvend.

“Jemi konsultuar me njohës të ligjit dhe Kushtetutës”, ka thënë Nikolla.

Me çfarë ka të bëjë konkretisht çështja e Berishës?

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë (SPAK) do të zbulonte përmes një njoftimi zyrtar detajet hetimore lidhur me privatizimin e ish-kompleksit të klubit Partizani.

Në mesin e të akuzuarve ishin ish-kryeministri Sali Berisha me veprimet e tij konkrete për të bërë që dhëndri i tij Jamarbër Malltezi të përfitonte nga kjo skemë e parregullt.

Më saktë, objekti i hetimit të këtij procedimi penal, sipas SPAK-ut, ishin veprimet e kryera nga funksionarë të lartë shtetërorë dhe persona të tjerë, për privatizimin e terreneve dhe objekteve sportive të “Klubit të Futbollit Partizani” dhe “Klubit Shumësportësh Partizani”.

Prokuroria e Posaçme dyshon se Berisha ka konsumuar veprën penale të ‘Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë’, e kryer në bashkëpunim me shtetasin Jamarbër Malltezi, parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal.

SPAK shton se Berisha në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, dyshohet se ka kryer veprime konkrete dhe aktive, në miratim ligjesh apo aktesh nënligjore.

Kjo, me qëllim përshtatjen e tyre sipas nevojave që paraqiteshin për pesë familjet e njohura pronare, ku fitues i drejtëpërdrejtë ndër të tjerë, rezultonte të ishte Jamarbër Malltezi.

Berisha, dyshohet madje se ka kryer veprime aktive për kryerjen e kontrolleve administrative, me qëllimin e ushtrimit të presionit dhe dhënien e urdhrave konkrete, për konkludimin e procedurave të privatizimit, në favor ndër të tjerë, edhe të Jamarbër Malltezit, vijon SPAK-u.

Sipas Prokurorisë, Berisha dyshohet se ka kryer po ashtu veprime aktive në vendosjen në dispozicion të Malltezit, të strukturave të ndryshme të administratës shtetërore për realizimin e procesit të privatizimit të pronës shtetërore.