Shqipëria

Berisha thotë se Bashën e mbështetën demokratët vetëm prej tij


Ish-kryeministri shqiptar, Sali Berisha, gjatë kremtimit të 33-vjetorit të themelimit të Partisë Demokratike, e ka quajtur këtë të fundit aktin më madhor pas Pavarësisë së vendit në vitin 1912.

Por, nga ana tjetër, nuk ka harruar të kritikojë Lulzim Bashën, kreun aktual juridik të forcës së djathtë politike, duke përshkruar se këtë të fundit, demokratët e kanë mbështetur vetëm prej influencës së tij.

Ai zbuloi gjatë fjalës së tij se në një bashkëbisedim me një bashkëpunëtore, kjo e fundit i ishte shprehur se shumë demokratë i rrëfenin se kishin mbështetur Lulzim Bashën “për shkak të doktorit”, gjë që Berisha tha se “është realiteti”.

“Vepra juaj është një nga aktet më madhore në historinë e lirisë së shqiptarëve, është akti më madhor pas Pavarësisë së Shqipërisë. Ju përshëndes sot dhe përulem para jush me nderimin më të pakufishëm”, vijoi më tej ai në fjalë.

Sipas Berishës, PD është parti idealesh dhe pikërisht sepse ajo është e tillë mbetet parti e një vitaliteti të jashtëzakonshëm.

“Vitet më të rënda për ju demokratë kanë qenë vitet 2013-2021. Po bisedoja me një bashkëpunëtore timen dhe tha se nuk e kuptonte. Tha që mbështesnin Lulzim Bashën për shkak të doktorit dhe i thashë që është e vërtetë. Ata që thonë këtë thonë realitetin”, shtoi më tej.

Teksa, si dramë, e cilëson ndryshimin e udhëheqjes së PD-së, e cila sipas Berishës kaloi nga “një udhëheqje idealiste” në “një udhëheqje pazaresh të turpshme dhe amorale”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore